Misteri i vrasjes së Qerim Kelmendit, rasti kalon në Prokurorinë Speciale

Djegia e veturës dhe trupit të Qerim Kelmendit, e cila është cilësuar si vrasje nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë, tash e tutje do të trajtohet nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

KALLXO.com mëson se gjatë ditës së sotme Prokuroria në Pejë ka dërguar rastin në kompetencë të Prokurorisë Speciale me qëllim që hetimi të jetë më efikas.

KALLXO.com gjithashtu ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

I njëjti ka konfirmuar për KALLXO.com dërgimin e lëndës në Prokurorinë Speciale.

“Po, rasti tani ka kaluar te Prokuroria Speciale e Kosovës”, tha shkurt Nikçi.

Pak pas mesnatës së datës 27 shkurt, Policia e Rajonit të Pejës kishte marrë një informacion për një veturë të djegur në një rrugë në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës.

Me të marrë informacionin policia kishte dalë në vendin e ngjarjes së bashku me ekipet e tjera relevante ku më pas kishin hasur edhe në një trup të kontaminuar brenda veturës.

Ishin familjarët e Qerim Kelmendit ata që konfirmuan se trupi brenda veturës së djegur ishte vetë Qerimi.

Qerim Kelmendi u gjet i vdekur rreth 300 metra larg shtëpisë

Prokuroria Themelore në Pejë e kishte cilësuar rastin si vrasje ndërsa kishte treguar se nuk kishin ndonjë person të identifikuar për rastin.

Vëllai i Qerim Kelmendit e kishte konsideruar rastin si vrasje me qëllim dhe të menduar mirë.

Vetura e Qerim Kelmendit u në fillim të rrugës e cila shpie drejtë shtëpisë ku jetonte së bashku me vëllezërit.

Vëllai i Ibrahim Kelmendit, Qerim Kelmendi dyshohet se është vrarë