Miratohet buxheti i Komunës së Prishtinës

Me 26 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar propozim-vendimi për miratimin e buxhetit, e cila ishte pika e tretë e rendit të ditës, në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Prishtinës, e cila është vazhdim i dy ditëve më parë.

Me po të njëjtat vota u votua edhe propozim-vendimi lidhur me kornizën afatmesme.

Gjatë këtyre votimeve munguan asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët erdhën direkt pas votimit.

Votimi i buxhetit ishte kundërshtuar herën e kaluar nga obozita. Ata kanë kërkuar që Përparim Rama ta anulojë tenderin 12-milionësh për shërbimet e arkitektit.

Në komunikatën për media, Lëvizja Vetëvendosje tha se kërkesë e tyre për të marrë pjesë në votim ishte anulimi i projektit me vlerë 12 milionë euro “Arkitekti i Kryeqytetit”, dhe rishqyrtimi i tij sepse, sipas tyre, përbën një “abuzim të rëndë me buxhetin publik”.

KALLXO.com ka raportuar më 6 gusht 2022 se Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga një arkitekt, ka hapur tender për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi, i cili është shpallur më 22 korrik, kap vlerën 12 milionë euro. Tenderi është shpallur përmes procedurës së kufizuar. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 36 muaj.

Në dosjen e tenderit thuhet se qëllimi i këtij projekti është krijimi i hartës unike të planifikimit të kryeqytetit, krijimi i bazave të shënimeve, krijimi i bazës së sistemit gjeografik të informacionit, krijimi i rregulloreve dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e pakove programore për përcjelljen e lejeve, ndërtimeve, mirëmbajtjeve, tatimit dhe shërbimeve komunale dhe krijimi i sistemit interaktiv online të komunikimit me qytetarët.

Krahas kësaj, në këtë dokumentacion është përshkruar edhe gjendja aktuale në kryeqytet.

Sipas tyre, ka elemente të trashëguara të planifikimit të cilat janë në zbatim e sipër, një pjesë e tyre vetëm në fazën e planifikimit, komunikacioni i stërngarkuar, objekte të shumta të ndërtuara pa zbatim të plotë të rregulatives përkatëse, shumë të tilla me tejkalime si në sipërfaqe, po ashtu edhe në etazhitet, tejkalime në vijat rregulluese dhe ndërtimore, dhe mangësi në trajtimin adekuat në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit.

Komuna e Prishtinës me tender 12 milionë euro për “Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit”

Prishtinë, opozita kushtëzon votimin e buxhetit me anulimin e tenderit 12-milionësh për ‘Arkitektin e Qytetit’