Kuvendi i Prishtinës

Prishtinë, opozita kushtëzon votimin e buxhetit me anulimin e tenderit 12-milionësh për ‘Arkitektin e Qytetit’

Vetëm dy pika të rendit të ditës Kuvendi Komunal i Prishtinës ka arritur që t’i kalojë pasi për pikën e tretë – propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2023, nuk u morën vesh pozitë e opozitë.

Pa votat e opozitës, Kuvendi kryeqytetas nuk pati kuorum që të ulet për ta shqyrtuar buxhetin e vitit 2023. Për t’ia bërë votat Përparim Ramës, opozita kërkoi që kryetari i Prishtinës ta anulojë tenderin 12-milionësh për shërbimet e arkitektit, ose që ta heqë nga pika e rendit të ditës buxhetin.

Në orën 11:30 u vendos që të shkohet në pauzë që parashihej të zgjaste deri në orën 13:00. Pas më shumë se dy orësh, Kuvendi Komunal i Prishtinës vendosi ta ndërpresë seancën pasi nuk kishte kuorum.

Lëvizja Vetëvendosje nuk pranoi që të deklarohet se cilat janë kushtet. “Do të ketë komunikatë për media” – u tha gazetarëve asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla.

Në komunikatën për media, Lëvizja Vetëvendosje tha se kërkesë e tyre për të marrë pjesë në votim ishte anulimi i projektit me vlerë 12 milionë euro “Arkitekti i Kryeqytetit”, dhe rishqyrtimi i tij sepse, sipas tyre, përbën një “abuzim të rëndë me buxhetin publik”.

Por, LVV thotë se kryetari Përparim Rama nuk e pranoi kërkesën e tyre. Si rrjedhojë, ata propozuan që pika për buxhetin të largohet nga rendi i ditës dhe të procedohet me pika të tjera të parapara.

“Është përgjegjësi e pushtetit organizimi i seancave dhe sigurimi i kuorumit. Fatkeqësisht, po vërtetohet ajo çfarë kemi thënë tërë kohën se kjo qeverisje e partive të vjetra, në krye me Perparim Ramën, është e paaftë, pa vizion dhe e papërgjegjshme për prioritetet dhe kërkesat që kanë qytetarët e Prishtinës” – thuhet në statusin e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari Rama në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com tha se nuk do të zmbrapset nga ky tender sepse, sipas tij, shërbimet e arkitektit janë shumë të rëndësishme për projektet në kryeqytet.

Rama tha se nuk do të lejojë që të shantazhohet.

“Ne kemi buxhet por nuk kemi projekte, pra duhet me i bë mundësitë për me transformu Prishtinën. Pa këtë zyrë, nuk kemi mundësi, s’ka shanse, pra për këtë arsye nuk mundem me pranu një lloj shantazhi. Koha e shantazheve i përkasin të kaluarës, në dëm të kryeqytetit, prandaj edhe nuk kam mundur me pranu” – u shpreh Rama.

KALLXO.com ka raportuar më 6 gusht 2022 se Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga një arkitekt, ka hapur tender për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi, i cili është shpallur më 22 korrik, kap vlerën 12 milionë euro. Tenderi është shpallur përmes procedurës së kufizuar. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 36 muaj.

Në dosjen e tenderit thuhet se qëllimi i këtij projekti është krijimi i hartës unike të planifikimit të kryeqytetit, krijimi i bazave të shënimeve, krijimi i bazës së sistemit gjeografik të informacionit, krijimi i rregulloreve dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e pakove programore për përcjelljen e lejeve, ndërtimeve, mirëmbajtjeve, tatimit dhe shërbimeve komunale dhe krijimi i sistemit interaktiv online të komunikimit me qytetarët.

Krahas kësaj, në këtë dokumentacion është përshkruar edhe gjendja aktuale në kryeqytet.

Sipas tyre, ka elemente të trashëguara të planifikimit të cilat janë në zbatim e sipër, një pjesë e tyre vetëm në fazën e planifikimit, komunikacioni i stërngarkuar, objekte të shumta të ndërtuara pa zbatim të plotë të rregulatives përkatëse, shumë të tilla me tejkalime si në sipërfaqe, po ashtu edhe në etazhitet, tejkalime në vijat rregulluese dhe ndërtimore, dhe mangësi në trajtimin adekuat në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit.

Komuna e Prishtinës me tender 12 milionë euro për “Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit”