Prishtina

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës me tender 12 milionë euro për "Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit"

Komuna e Prishtinës e cila udhëhiqet nga një arkitekt, ka hapur tender për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi, i cili është shpallur më 22 korrik, kap vlerën 12 milionë euro. Tenderi është shpallur përmes procedurës së kufizuar. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 36 muaj.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 31 gushti. Sipas njoftimit, në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate.

Në njoftim thuhet se nëse më shumë se 6 kandidatë të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të riekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për proceduren e tenderit.

“Të vetmit faktorë të cilët do të mirren parasysh gjatë këtij ri-ekzaminimi janë: Faktori i cili do të merret në konsideratë gjatë ri ekzaminimit është vlera më e lartë e kontratave të përfunduara me sukses që e plotësojnë kriterin e kapacitetit teknik”, thuhet në njoftim.

Kriteret e dhënies janë tenderi ekonomikisht më i favorshëm në drejtim të propozimit financiar dhe propozimet teknike.

Në dosjen e tenderit thuhet se qëllimi i këtij projekti është krijimi i hartës unike të planifikimit të kryeqytetit, krijimi i bazave te shënimeve, krijimi i bazës së sistemit gjeografik të informacionit, krijimi i rregulloreve dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e pakove programore për përcjelljen e lejeve, ndërtimeve, mirëmbajtjeve, tatimit dhe shërbimeve komunale dhe krijimi i sistemit interaktiv online të komunikimit me qytetarët.

Krahas kësaj, në këtë dokumentacion është përshkruar edhe gjendja aktuale në kryeqytet.

Sipas tyre, ka elemente të trashëguara të planifikimit të cilat janë në zbatim e sipër, një pjesë e tyre vetëm në fazën e planifikimit, komunikacioni i stërngarkuar, objekte të shumta të ndërtuara pa zbatim të plotë të rregulatives përkatëse, shumë të tilla me tejkalime si në sipërfaqe, poashtu edhe në etazhitet, tejkalime në vijat rregulluese dhe ndërtimore, dhe mangësi në trajtimin adekuat në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit.

“Janë të evidentuara por jo edhe të sistemuara shkeljet në ndërtim dhe tejkalimet në shumë raste, por të njejtat nuk janë të sistemuara dhe nuk ka rregjistra unnik dhe nuk ka prezentime përkatëse dixhitale apo analoge. Kjo vështërson monitorimin e gjendjes, planifikimin dhe zbatimin e strategjisë së re zhvillimore interaktive të Kryeqytetit”, thuhet në dosje.

Në këtë aspekt është përmendur siguria e këmbësorëve, e cila është përshkruar të jetë problematike për shkak të “planifikimit të gabuar apo mosplanifikimit të zonave të sigurta, sinjalizimit të dobët nëpër rrugët e kryeqytetit, dhe moszbatimit të plotë të planifikimit ekzistues”.

Gjithashtu sipas tyre, shërbimi për qytetarin, posaçërisht në lëminë e zbatimit të Planeve rregulluese, nëpëmjet portalit online nuk është mjaftueshëm i promovuar.

“Planet rregulluese janë të gjitha të prezantuara me standarde të ndryshme, dhe të njëjta nuk janë të paraqitura së bashku, kështu që planifikimi është kryer parcialisht, me pak përshtatje në zonat përreth. Shërbimi për qytetarin, posaçërisht në lëmin e zbatimit të Planeve rregulluese, nëpëmjet portalit online nuk është mjaftueshëm i promovuar, dhe i mungon ndërlidhja mes drejtorive përkatëse (Urbanizëm, Kadastër, Inspekcion, Plnifikim strategjik…) dhe shërbimeve përkatëse komunale dhe Shërbimeve. Portali qëndron ende në versionin provues “Beta””, thuhet tutje.

Sipas tyre, edhe shërbimet aktuale të portalit kërkojnë një rifreskim dhe një ripërtritje, përshtatje me trendet aktuale, dhe me sasinë gjithnjë e më të madhe të shënimeve të përfshira dhe atyre që do të përfshihen.

Si rrjedhojë, me të gjitha problematikat që i kanë përmendur që ekzistojnë në kryeqytet në këtë drejtim, përmes këtij projekti 12 milionësh pritshmëritë në përfundim të konsulencës janë:

– Arritja e objektivit të parashtruar të funksionalizimit të përcjelljes së të gjitha ndërtimeve online, deri te certifikimi final i tyre. Mundësia e përcjelljes se afateve të Shërbimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë së pajimeve relevante të objekteve komunale.

-Trajnimi i personelit për shfrytëzimit të veglave programore bashkëkohore, përfshi edhe menaxhimin e informatave të ndërtimit  [BIM – Building Information Management]

-Përpilimi i Manualeve te përgatitjes së dokumentacionit për lejet e ndërtimit

-Formimi dhe menaxhimi i bazes unike të shënimeve lidhur me ndërtimet, relacionet pronësore, infrastrukturës dhe në veçanti objekteve nën menaxhim direkt, me theks në menaxhimin e mirëmbajtjes së objekteve të Komunës: shkollave, ambulancave etj. në kohë reale.

-Formimi i bazës së shënimeve të kostove mesatare të ndërtimit, meremetimit, mirëmbajtjes, rindërtimit të nevojshëm për vlerësime, për nevoja të prokurimit dhe për planet strategjike të Kryeqytetit

-Formimi i Hartës Unike të Kryeqytetit, shumështresore, për nevoja të planifikimit, zhvillimit dhe strategjisë së Kryeqytetit, për veprim të shërbimeve të mbrojtjes dhe sigurisë, shpëtimit; për shërbimet komunale, shërbimet e furnizimit dhe të ngjashme; për mirëmbajtje të rregullt dhe për riparime të infrastrukturës tokësore, nëntokësore dhe ajrore.

-Formimi i bazës së rregullave dhe rregulloreve specifike në relacion me Kryeqytetin, të vendimeve të veçanta, në lëminë e planifikimit hapsinor, projektimit të godinave dhe shehseve, kriteret për vendosjen e objekteve të përkohshme, ndajndërtimeve,  pajisjeve dhe elementeve mikro – urbane në territorin e qytetit dhe  të komunës

-Formimi i bazës së shënimeve të sublimuara të objekteve sipas kategorive, statusit dhe gjendjes, me pasqyrim grafik dhe në prezantim përkatës tredimensional, volumetrik – hapësinor, përfshi të gjitha shënimet relevante të informacionit, të lidhura me vedi.

-Formimi i ekipeve profesionale, të rekrutuara nga stafi i komunës, dhe të trajnuara  për vazhdimin e dhënjes së konsulencës teknike dhe profesionale, për të siguruar vazhdimsinë e procesit të konsulencës me kryersit e punësuar në Komunë.

-Themelimi dhe ogranizimi i shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit dhe degëve të tij, në fund të procesit të tranzicionit të shërbimit të konsulencës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për të marrë detaje shtesë lidhur me këtë kontratë.

Aktivistë e politikanë kanë reaguar në lidhje me shpalljen e tenderit 12-milionësh duke e konsideruar si shumë të lartë shumën e paraparë për këtë tender.