Ministrja Haxhiu kritikon Gjykatën: Nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e 24 shtatorit do t’i lironi si Dejan Pantiqin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata e Prishtinës ka liruar sot me dorëzani Dejan Pantiqin, ish-zyrtari policor i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyret e KQZ-së në dhjetor të 2022-tës.

Haxhiu teksa e ka quajtur këtë vendim të papranueshëm ka kritikuar Gjykatën duke thënë se nuk është larg nëse edhe të arrestuarit për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të lirohen me dorëzani.

“Të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani!  Si ka nisur kështu, nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani. Kjo veq drejtësi nuk është! E papranueshme”- ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ministrja i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës “t’i trajtojë këto raste dhe të mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë”.

Dejan Pantiq, ish-zyrtari policor i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyret e KQZ-së, është liruar nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

E njëjta ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale nuk ka parashtruar kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

Pantiq pas arrestimit të tij fillimisht ka qëndruar në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2022, ndërsa më 28 dhjetor të po atij viti kjo masë i ishte zëvendësuar me arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 10 dhjetor të vitit 2022 për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e të cilat më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Ish polici Dejan Pantiq lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë euro dorëzani