Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Gërvalla merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut.

Pjesëmarrja e saj në këtë forum është bërë me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman

“Gjatë këtij forumi, Ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit në Evropë si dhe do të ndajë përvojën e Republikës së Kosovës me proceset e integrimeve euroatlantike dhe reformat e thella në sundimin e ligjit, ngritjen e standarteve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo do të theksojë gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit multilateral për tejkalimin e sfidave globale”, njofton Ministria e Jashtme e Kosovës.

Ndërkohë, në margjina të Forumit të Dubrovnikut, siç thuhet në njoftim, Gërvalla do të zhvillojë edhe takime bilaterale me ministrat e Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, “me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Ministrja Gërvalla ka marrë pjesë në këtë forum edhe vitin e kaluar dhe fjalimi i saj pati nxitur reagime të shumta.

Gërvalla pati thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të garantojë sigurinë e paqes në Evropë dhe pa Amerikën dhe NATO-n është një ‘tigër prej letre’.

“Arsyet janë të dukshme. Sepse nuk ka vullnet politik. Ka shumë përqarje në këtë bashkësi dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe të NATO-n, Bashkimi Evropian është një tigër prej letre në termat e sigurisë” – pati deklaruar Gërvalla.

Fjalimi i saj pati ngjallur reagime të përfaqësuesve të SHBA-së dhe të BE-së në këtë forum, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak.

Forumi i Dubrovnikut është i përvitshëm dhe aty mblidhen personalitete të larta politike nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar rreth temave aktuale në politikën globale.

Krejt çka u tha në Forumin e Dubrovnikut, në të cilin fjalimi i Gërvallës u kritikua shumë