Ministrja britanike inkurajon Thaçin dhe Kurtin që të punojnë së bashku

Ministrja për Fqinjësinë Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton ka takuar presidentin, Hashim Thaçi dhe kryeministrin Albin Kurti, që mes tjerash është diskutuar për thellimin e partneritetit në të ardhmen.

Ajo ka inkurajuar Thaçin dhe Kurtin që të punojnë së bashku për të siguruar një qasje të bashkuar të Kosovës ndaj dialogut dhe kthim të shpejtë në tryezën e bisedimeve.

Sipas njoftimit të Ambasadës britanike, ministrja Morton e mirëpriti si hap pozitiv njoftimin e ditëve të fundit të kryeministrit Kurti për heqjen e pjesshme të tarifës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Mbretëria e Bashkuar është krenare për partneritetin e saj të gjatë me Kosovën dhe ne mbetemi të përkushtuar në promovimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja e zhvillimit të Kosovës dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës janë vendimtare për stabilitetin në rajon dhe për stabilitetin evropian. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme ta mbështesë si Kosovën ashtu edhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes në të mirë të dy vendeve”, citohet të ketë thënë ministrja Morton.

Ndërkaq, kryeministria përmes një komunikate bënë të ditur se me këtë rast kryeministri Kurti e njoftoi ministren me hapat e parë të qeverisë, siç janë fillimi i procesit të vetingut, shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike me performancë të dobët, hartimi dhe miratimi i projektbuxhetit për këtë vit, si dhe anulimi i disa kontratave të dëmshme ekonomike për vendin tonë

Në anën tjetër, të dy palët u pajtuan se dialogu i hapur dhe konstruktiv është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajon.