Një mjek - Foto: REL/Shutterstock

Ministria e Shëndetësisë shpall konkurs për 200 profesionistë shëndetësorë

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur konkurs për rekrutimin e 200 profesionistëve shëndetësorë në funksion të menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Konkursi është shpallur për 100 mjekë specialistë ose mjekë të përgjithshëm, 62 infermierë, 20 inspektorë sanitar, 4 specialistë të mikrobiologjisë, 8 laborantë, 6 pozita për staf teknik dhe mbështetës.

Sipas konkursit paga për mjekët specialistë do të jetë 704 euro, për mjekët e përgjithshëm do të jetë 610 euro, paga për infermierët do të jetë 422 euro, për inspektorët sanitar do të jetë 520 euro. Sipas kushteve të përshkruara në konkurs, specialistët e mikrobiologjisë do të marrin 704 euro, laborantët do të paguhen me 422 euro kurse stafi teknik dhe mbështetës me 360 euro për muaj.

Koha e punësimit sipas konkursit është me kohë të caktuar, 3 muaj, me mundësi vazhdimi.

Në konkursin e shpallur nga Ministria kërkohet që kandidatët të respektojnë principet e humanitetit dhe profesionalizmit në diagnostikim dhe këshillim në luftën kundër pandemisë COVID-19 në zbatim të Manualin e Qeverisë.

Konkursi është hapur me 16 qershor dhe do të jetë i hapur deri më 22 qershor 2020.

Detajet e konkursit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë i gjeni KËTU.

Shpallja e konkursit po bëhet në kohën kur në Kosovë numri i të infektuarve me COVID-19 ka shkuar në 1756, numri i të shëruarve në 968 kurse numri i personave të vdekur në 34.

Në dy ditët e fundit në Kosovë janë konfirmuar numër rekord i rasteve pozitive me COVID-19. Sipas rezultateve të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike, dje, 141 persona kanë dalë pozitiv me COVID-19 kurse dy ditë më parë 129.