Foto: KALLXO.com

Ministri Sveçla: Për operacionin e sotëm kemi koordinim me aleatët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se lidhur me operacionin e sotëm në veri të vendit institucionet e Kosovës kanë pasur bashkëbisedim dhe koordinim me aleatët.

“Në vazhdimësi sa i përket situatës së sigurisë ne i angazhojmë kapacitetet tona si shtet dhe bashkëbisedojmë dhe koordinohemi me aleatët. Edhe për këtë rast, ata kanë qenë të njoftuar. Mos të harrojmë, zëvendëskryeministri Bislimi më 9 shtator e ka paralajmëruar këtë veprim”, tha ministri Sveçla në një konferencë për media kushtuar aksionit të sotëm të ndërmarrë në pikat kufitare të Kosovës, ku po zbatohet reciprociteti sa u përket targave të automjeteve.

Ministri ka shpjeguar se MPB me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit 2016 ka nxjerrë vendim që obligon të pajisen me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hynë në territorin e Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare.

“Ky vendim u mundëson drejtuesve të automjeteve të qarkullojnë 60 ditë. Nga data 15 shtator asnjë veturë me targa KS nuk ka të drejtë të lëvizë në trafik dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuar nga MPB janë ato me denominimin RKS. Nga data 21 shtator, përveç mundësisë së pajisjes me targa të përkohshme në të gjitha pikat kufitare, qytetarët mund të pajisen edhe në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve në komunat e Kosovës”, tha ministri.