Miliona minj po gëlojnë nëpër qytetet australiane - VIDEO

Qeveria ka një plan për t’i dhënë fund kësaj murtaje përmes helmimit 

“Një mi i mirë është një mi i vdekur”, tha zëvendëskryeministri australian gjatë kësaj jave, ndërkohë që rajoni i New South Wales e shtoi luftën e saj kundër minjëve përmes një plani helmimi në pjesën më të madhe të rajonit.

Një vendim i tillë është marrë për shkak se për muaj me radhë, minjtë kanë shkatërruar fushat dhe kanë infektuar shtëpi në Australinë lindore, nga kufiri Victoria në jug deri në shtetin verior të Queensland të vendit, duke shkaktuar miliona dollarë dëme në kulturat dhe makineri, shkruan CNN.

Ndërkohë që edhe stina e dimrit po afron në Australi, brejtësit e uritur madje po kërkojnë strehim brenda shtëpive të njerëzve. Në qytetin e vogël Canowindra, perëndim të Sidneit, banorët e këtij qyteti kalojnë ditët e tyre duke hedhur minj të ngordhur nga kurthet në shtëpitë e klientëve të saj. Ata i pastrojnë jashtëqitjet e minjëve nga kuzhinat e tyre, nga dhomat e fëmijëve, madje edhe nga shtretërit e tyre.

Megjithatë, këto masa preventive nuk po dalin të jenë të mjaftueshme për i luftuar minjtë në New South Wales,  andaj qeveria australiane është në kërkim të një mase shumë më të fortë.

Daën e djeshme, e enejte, zyrtarët në Australi njoftuan se kishin siguruar 5,000 litra të “një nga kimikatet më të forta në botë që vrasin minjtë” – një helm aq i fuqishëm sa vret me vetëm një dozë.

Mirëpo, jo të gjithë janë të lumtur për këtë. Disa kanë shprehur shqetësimin se hedhja e helmit për të shpëtuar të korrat nga minjtë e egër mund të njollosë të korrat ushqimore dhe të shkatërrojë jetën e egër lokale.

Javën e kaluar, Ministri i Bujqësisë i New South Wales Adam Marshall bëri të ditur “një paketë të frikshme mjetesh për të menaxhuar minjtë”, përfshirë helmin pa pagesë për brejtësit për fermerët. Dhe këtë javë, ai siguroi mijëra litra bromadiolon, i njohur si një “antikoagulues i gjeneratës së dytë” për fuqinë e tij.

“Sapo APVMA e Komonuelthit (Autoriteti Australian i Pesticideve dhe Barnave Veterinare) na jep aprovimin për të përdorur bromadiolone për perimetrat e të korrave, mund të fillojmë ta shpërndajmë nëpër stacionet tona të trajtimit absolutisht falas për fermerët”, tha Marshall në një deklaratë të bërë ditën e enjte.

Sidoqoftë, ekologia nga Universiteti Charles Sturt, Maggie Watson, thotë se helmi është “thjesht shumë i rrezikshëm” për t’u përdorur kudo në mjedis.

Bromadiolone mund të derdhet në tokë dhe të bioakumulohet në insekte përpara se të kalojë në zinxhirin ushqimor, sipas Watson, i cili paralajmëron për mundësinë e fermerëve që padashur helmojnë ushqimin që ata po përpiqen ta rrisin.

Bromadioloni është shumë toksik, dhe kështu ka të ngjarë të vrasë disa grabitqarë vendas. Ndërkohë, popullata e minjëve po rritet aq shumë dhe në formë aq të paqëndrueshme, saqë  fermerët paralajmërojnë se po u mbaron koha për të korrur prodhimet e tyre dimërore.

Përgatiti: Nuhi Shala