Foto: Armend Mehaj, Facebook
Mehaj në takim me Abbott: FSK nuk është e përfshirë në aktivitete që janë jashtë fushës së veprimit të saj
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në veri të vendit.
Sipas njoftimit, Abbott ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen në veri të vendit dhe nevojën për gjetjen e një rrugëzgjidhje për të kthyer normalitetin.
Mehaj tha se ambasadorin e ka siguruar që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja është duke zhvilluar aktivitetet në përputhje me planet e saj të zhvillimit dhe nuk është e përfshirë në aktivitete që janë jashtë fushës së saj të veprimit.
“I rikonfirmova aspiratat e qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë për integrim në Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO”- ka thënë Mehaj.
“Diskutuam për bashkëpunimin me Britaninë e Madhe dhe vendet partnere të NATO si dhe mbështetjen e vazhdueshme që Britania dhe vendet partnere po japin për FSK-në, zhvillimin e saj dhe ndërtimin e kapaciteteve në përputhje me standardet dhe doktrinën e NATO-së” – ka shtuar ai.
Situata në tri komunat në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar.
Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.