Mehaj: Mali i Zi mbështet Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në NATO

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka pritur me ceremoni ushtarake në takim Ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Rashko Konjeviq.

Në këtë takim, dy ministrat nënshkruan marrëveshje, Memorandume të Bashkëpunimit në mes dy shteteve.

“Takimi sot ka qenë shumë i frytshëm, i domosdoshëm kemi rikonfirmuar bashkëpunimin e fuqishëm që kemi në mes dy shteteve tona, në nivel bilateral siç edhe nënshkruam edhe marrëveshjen bilaterale” – ka thënë Mehaj.

Tutje ai ka shtuar se kjo marrëveshje rritë bashkëpunimin në shumë fusha, në angazhime të përbashkëta edhe në aspektin ushtarak.

“Nëpër mes kësaj marrëveshje ne zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes që është i domosdoshëm në aspektin e sigurisë, stabilitetit, demokracisë në mes dy vendeve tona” – tha i pari i Ministrisë së Mbrojtjes.

Mehaj gjithashtu ka theksuar prapë synimin e Kosovës për anëtarësim e saj në NATO.

“Mali i Zi si shtet mik i yni, na mbështet në orientimin tonë në iniciativa rajonale, edhe drejt anëtarësimit të plotë në NATO” –  tha Mehaj.

Ai tutje shoti se Mali i Zi i ka ofruar mbështetje Kosovës në proces dhe realizimin e synimeve të saj në anëtarësim në organizata rajonale.

Mehaj theksoi se paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal është jetike sidomos për shtetet e Ballkanit. Sipas tij, kjo është e ardhmja e përbashkët euroatlantike.