Me ndihmën e ekipit nga Kosova, nxirren trupat e pajetë të dy turisteve në Valbonë

Trupat e pajetë të dy turisteve të huaja në kalimin Theth – Valbonë janë nxjerrë këtë mëngjes, pas 11 orëve operacion në terren, nga grupi i vullnetarëve si dhe shërbimi i kërkim – shpëtimit malor të Kosovës dhe Policia, raporton Top Channel. 

Pavarësisht motit të keq dhe sugjerimit të banorëve të Thethit, katër turistët janë nisur nga Thethi për të bërë kalimin mes Bjeshkëve, pa guidën turistike. Sapo kanë kaluar Thethin, ata janë përballur me një mjegull të dendur dhe prani të dëborës. Në zonën e njohur si “Qafa e Valbonës”, që është edhe pjesa me e rrezikshme, turistët kanë ngatërruar shtegun dhe për shkak të mjegullës së madhe, tre prej tyre kanë rrëshqitur duke rënë në humnerë.

Dy prej tyre kanë humbur jetën menjëherë pas përplasjeve të forta dhe rënies se gurëve, një është plagosur ndërsa tjetri ka njoftuar policinë. Këta të fundit kanë mbërritur të paret në vendin e ngjarjes, por për shkak të mungesës se pajisjeve dhe teknologjisë së kërkim – shpëtimit, kanë kërkuar ndihmën e vullnetarëve dhe grupit të ekspertëve të Kosovës.

Ekipi i punës dhe ka punuar vullnetarisht për nxjerrjen e turisteve.

Kastriot Qehaja, infermier pranë qendrës shëndetësore në Lekbibaj, Dardan Qehaja guidë turistike në Valbone, Fatbardh Kuqani oficer policie si dhe grupi i eksperteve të kërkim shpëtimit malor të Kosovës Fidan Abazi, Bardhosh Morina, Tahir Ibrahim, Eroll Brozhnica dhe Ilir Zhagorja kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave pas mesnate.

Gjatë ditëve të fundit, për shkak të motit të keq, guida kishin anuluar ecjen në shtegun Theth – Valbonë, por turistet kanë vendosur të përballen me rrezikun. Kjo është e disata herë, që të huajt lëvizin pa guidë në Alpet e veriut dhe gjejnë vdekjen.

“Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur ‘Qafë Valbonë’, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B.M. dhe shtetases franceze J.B.” – kishte njoftuar dje Policia e Shqipërisë.

Në ndihmë të ekipeve kishte shkuar edhe skuadra alpine e FNSh Shkodër. Për shkak të motit të keq, as helikopteri nuk kishte mundur të ulej në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet./Top Channel