Foto: Policia e Shtetit, Facebook

Policia e Shqipërisë gjen trupat e pajetë të dy turisteve në Valbonë pasi ranë në greminë

Policia e Shqipërisë ka gjetur sot dy trupa të pajetë të dy turisteve njëra belge e tjetra franceze, në Valbonë të Tropojës, mirëpo për shkak të motit të keq nuk kanë arritur ende që t’i nxjerrin trupat e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, ato ishin rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur dhe kishin rënë në greminë, përderisa kanë qenë duke eksploruar zonën e Valbonës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, ato të Drejtorisë Vendore dhe të Policisë Kufitare, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur menjëherë për ne vendngjarje.

“Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur ‘Qafë Valbonë’, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B.M. dhe shtetases franceze J.B.” – thuhet tutje në njoftim.

Në ndihmë të ekipeve ka shkuar edhe skuadra alpine e FNSh Shkodër. Për shkak të motit të keq, as helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet, njofton Policia.

Shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, për të nxjerrë trupat e pajetë.

Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për përcaktimin e shkakut të ngjarjes.