Me Covid nëpër këmbë, parqet vlojnë nga qytetarët
Fundjava dhe moti i mirë i nxori shkupjanët jashtë. Në parkingun e Vodnos asnjë vend i lirë. Në hapësirën e gjelbër secili në mënyrën e vet po e shijonte ditën dhe rrezet e diellit.
Në sy bie numri i madh i të rinjve, të cilët me mbylljen e kafeneve kanë vërshuar parqet.
“Ja mirë, kemi dalë shoqëria, me birra sa për të dalë pak meqë gjithçka është e mbyllur. Na mungojnë kafenetë, kështu që duhet pak të dalim në natyrë, sepse në qytet është monoton. Të shtunave do të isha këtu, e në mbrëmje në ndonjë restorant”, u shpreh ky qytetar.
Dikush me maska e me distancë, dikush pa to.
“Edhe përkundër restrikcioneve dhe apeleve të autoriteteve shëndetësore për mosgrumbullim, si duket kjo nuk vlen për qytetarët të cilët sot kanë ardhur dhe po e shijojnë natyrën në Vodno”, njofton gazetarja, Almedina Ismajli.
Më i frekuentuar se mali i Vodnos ishte Parku i qytetit. Pothuajse e njëjta fotografi përsëritet edhe këtu. “Një atmosferë e ngjashme edhe në Parkun e qytetit, qytetarë nga të gjitha moshat kanë uzurpuar thuajse çdo cep të parkut”, përshkruan gazetarja situatën në Parkun e qytetit.
Si duket parku ka ngelur i vetmi opsion i qytetarëve për rekreacion. “Nuk vij shpesh mirëpo për shkak se moti është i mirë dhe për faktin se janë mbyllur lokalet”. “
Sot ka më shumë, është përplot sinqerisht, me siguri ngaqë i kanë mbyllur lokalet, nuk kanë çfarë të bëjnë njerëzit”.
Nga e mërkura objektet hotelierike po qëndrojnë të mbyllura me vendim të Qeverisë e me rekomandim të Komisionit për sëmundje infektive.
Maqedonia e Veriut është në orë policore nga ora 20:00 deri në 5 të mëngjesit. Nëse situata epidemiologjike me virusin korona përkeqësohet, nga Ministria e Shëndetësisë kanë paralajmëruar masa shtesë./21Media