Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Më 14 qershor mbahet mbledhja e përbashkët qeveritare Kosovë – Shqipëri

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të mërkurën e ardhshme do të mbajnë mbledhjen e përbashkët që do të organizohet në qytetin e Gjakovës.

Kështu ka bërë të ditur sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili ka njoftuar se kjo është mbledhja e 9-të e përbashkët e dy qeverive.

Ai ka përmendur disa nga marrëveshjet që pritet të nënshkruhen mes dy vendeve, duke theksuar se në mbledhjet e deritanishme janë nënshkruar 41 sosh.

“Në mbledhjen e radhës do të nënshkruajmë marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes, ndër to është ajo për njohjen e ndërsjellët të ushtrimit të profesionit të avokatit” –tha kryeministri Kurti.

Sipas Kurtit, në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për procedurat e kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore.

“Arritja e një marrëveshje që përmes bursave të studimit do të nxis mobilitetin e studentëve në të dy vendeve tona”- ka shtuar ai.

Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, mbledhjet e përbashkëta me Shqipërinë na afrojnë përherë e më shumë si shoqëri e si popull.

“Kësaj radhe Gjakova do të na bashkoj, e marrëveshjet që do të nënshkruajmë do të na afrojnë edhe më shumë”- ka thënë Kurti.

Mbledhja e fundit e dy qeverive është mbajtur në qershor të vitit 2022 në Prishtinë.