Lagjet ‘Arbëria’ e ‘Tophane’ përfituese të projektit ‘Solar 4 Kosovo’

Sot është nënshkruar marrëveshja për financimin e projektit “Solar 4 Kosovo”.

Kjo marrëveshje është nënshkruar mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos”, Fisnik Osmanit dhe drejtorit për bashkëpunim të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Sergiy Maslichenko.

Bazuar në këtë marrëveshje BERZh do të financojë me një kredi prej 23.2 milionë euro projektin “Solar 4 Kosovo”.

Sipas njoftimit, kjo marrëveshje do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Evropë dhe i pari në rajon, që do të sigurojë kapacitete shtesë termike, përmes shfrytëzimit të energjisë diellore.

Sipas njoftimit, realizimi i këtij projekti do të mundësojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes edhe për një pjesë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”.

Projekti “Solar 4 Kosovo” financohet nga grantet e Qeverisë Gjermane dhe BE-së nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 31.6 milionë eurove dhe 21.5 milionë eurove, si dhe nga një kredi e butë nga BERZh-i në vlerë të 23.2 milionë eurove.