Foto: Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në rrjetin social X.

Mblidhet Komisioni për Çështje Politike për shqyrtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka publikuar fotografi nga mbledhja e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, për të shqyrtuar dhe miratuar një projekt-opinion mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Europës (KiE).

Në fotografinë e publikuar në rrjetin social “X” shihet delegacioni nga Kosova i përbërë nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci dhe deputetët Arjana Musliu-Shoshi, Arben Gashi, Besnik Tahiri dhe Enis Kervan.

Kjo mbledhje në të cilën do shqyrtohet draft-opinioni i raportueses për Kosovë në Këshillin e Europës, Dora Bakojanis po mbahet në kryeqytetin e Francës, Paris.

Nga Këshilli i Europës thanë për KALLXO.com që Asambleja mund të vazhdojë me debatin dhe votimin për këtë çështje vetëm pasi Komisioni për Çështje Politike të ketë miratuar draft opinionin dhe pasi dy komisione të tjera të kenë dhënë pikëpamjet e tyre.

“Siç e dini, pasi Kuvendi të ketë dhënë Opinionin e tij statutor, çdo vendim përfundimtar mbi *aplikacionin e Kosovës për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës”- ishte përgjigjur Këshilli i Europës në një përgjigje për KALLXO.com, më  14.03.2024.

Ditë më parë, raportuesja Bakojanis rekomandoi një “përgjigje pozitive” ndaj kërkesës së Kosovës për t’iu bashkuar organizatës për të drejtat e njeriut në një raport të 22 marsit.

Në draft-raportin, që ka parë BIRN, Bakojanis shkruante se anëtarësimi i Kosovës “do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

Mirëpritja e Kosovës në gjirin e Këshillit të Evropës, megjithatë, nuk është fundi, por fillimi i një procesi, tha Bakojanis.

“Shpresoj që… Kosova do ta shfrytëzojë mundësinë e anëtarësimit për të konsoliduar demokracinë dhe kulturën e saj demokratike, për të fituar besimin dhe besnikërinë e të gjitha komuniteteve dhe për t’u bërë agjente e stabilitetit në rajon” – shtoi ajo.

Shanset e anëtarësimit të Kosovës u rritën javë më parë kur Qeveria e Kosovës i dha fund ngërçit tetëvjeçar dhe i dha 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

“Zbatimi është një shenjë e prekshme e angazhimit të qeverisë për të vepruar në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, pavarësisht nga konsideratat politike”- thuhet në raport.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakojanis, duke u zotuar se do t’i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Pranimi në këtë organizatë të bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.