Mbi 1500 kërkesa për konvertimin e patentë shoferëve në veri

1 mijë e 560 kërkesa janë bërë deri më tani për konvertimin e patentë shoferëve në veri të vendit.

Kështu ka konfimuar për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Çdo gjë po shkon mirë. 429 kërkesa janë bërë në Mitrovicën e Veriut, 223 në Zubin Potok, 234 në Zveçan dhe 386 në Leposaviq”- ka thënë Elshani.

Ky vendim ka hyrë në fuqi më 09.05.2024 dhe është valid deri më 09.08.2024.

“Presim që këta tre muaj të mjaftojnë për konvertimin e patentë shoferëve”- përfundon zëvendësdrejtori.

MPB më 07.05.2024 ka sqaruar se kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve dhe nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit, por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për pajisje me dokumente.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoadresimi në gjuhën serbe, ka deklaruar se që një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesat e qytetarëve serbë të Kosovës për marrjen e një vendimi të këtillë.

“Kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim”- është shprehur Kurti.

Sipas MPB-së, për të aplikuar qytetarëve u duhet të dorëzojnë në Qendrën për pajisje me dokumente: letërnjoftimin, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës, dhe origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill.

Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte thënë se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe)”.

Sipas Bislimit, pala serbe nuk tregoi se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.

Kthimi i patentë shoferëve ilegalë në RKS, deri tash 128 kërkesa