Foto: Flickr

Mbahet Konferencë për Edukimin mbi Median dhe Informacionin

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë/ZKM dhe me mbështetje të UNESCO-s dhe BE-së, mban konferencën: Konsultimet nacionale për strategjitë dhe politikat e edukimit mbi median dhe informacionin në Kosovë.

Këto konsultime synojnë ta mundësojnë një debat gjithëpërfshirës për Edukimin mbi Mediat dhe Informacionin (EMI) dhe ta inicojnë procesin e hartimit të një kornize strategjike për integrimin e konceptit të EMI në sistemin arsimor formal, informal dhe jo formal. Konsultimet Nacionale do t’i mbledhin hisedarët prej sektorëve qeveritarë dhe jo qeveritarë relevant në fushën e EMI, në përpjekje për të gjetur mënyra inovative, kreative dhe të qëndrueshme për t’i ofruar shoqërisë EMI. Rezultati i diskutimeve do të integrohet në punimin final mbi EMI në Kosovë, i cili do të ofrojë rekomandime specifike në përmirësimin dhe zhvillimin e EMI.

Konsultimet nacionale do të zhvillohen përmes 3 (tri) sesioneve me temë bosht si vijon: Sesioni i konsultimeve I: Roli i mediave, trupave (vetë) rregullues, ndërmjetësuesve të informacionit dhe grupeve të mediave qytetare në zhvillimin e Edukimit mbi Median dhe Informacionin (EMI), sesioni i konsultimeve II: Edukimi mbi median dhe informacionin (EMI) si strategji edukative për zhvillimin e të menduarit kritik dhe sesioni i konsultimeve III: Roli i shoqërisë civile dhe grupeve të mediave qytetare në Edukimin mbi median dhe informacionin (EMI).