Shkolla Fillore "Hasan Prishtina", Prishtinë, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

MAShTI: Gjendja aktuale me COVID-19 është e qëndrueshme, mësimi vijon me prezencë fizike

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka zhvilluar takimin e “task forcës” për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Sipas njoftimit të MAShTI-t në këtë takim është konstatuar se me gjithë rritjen e rasteve të të infektuarve me COVID-19, gjendja aktuale është e qëndrueshme, gjë që mundëson vijimin e mësimit me prani fizike në shkolla.

“Përfaqësuesit e IKShPK-së, gjatë takimit kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se “task forca” për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ka dhënë disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor (prindërit, nxënësit, mësimdhënësit, drejtoritë e shkollave, DKA-të, etj.), sipas udhëzimeve të IKShPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.