Masat anti-COVID, kryetarët e komunave kërkojnë heqjen e orës policore dhe hapjën e gastronomisë

Këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) sot ka mbajtur takim online. Në këtë takim është diskutuar për masat e fundit të vendosura nga Qeveria për parandalim të përhapjes së pandemisë, zbatimin e tyre dhe efektin për situatën.

“Takimin e ka hapur dhe kryesuar Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Imri Ahmeti, i cili njoftoi Kryetarët e Komunave se ka munguar komunikimi i mirëfilltë para këtyre masave mes nivelit qendror dhe lokal. Kryetari Ahmeti tha se qëllimi i këtij takimi është vlerësimi i Komunave për masat, efektet e tyre dhe hapat e ardhshëm në këtë drejtim”, thuhet në postimin e AKK-së në facebook.

Në këtë takim kryetarët e komunave dhanë disa rekomandime:

Rekomandimet e Komunave:

  1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës.
  2. Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore.
  3. Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave.
  4. Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë.
  5. Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse.
  6. Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik.
  7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.

Masat anti-COVID të ndërmarrura nga Qeveria janë në fuqi deri më 18 prill 2021.

Masat e fundit të Qeverisë kanë pezulluar punën e gastronomisë në të gjithë vendin si dhe qytetarët kanë të drejtë lëvizje nga ora 5:00 deri në orën 22:00.

Të gjitha masat e miratuara të Qeverisë kundër COVID-19