Alexei Navalny

Masa të rrepta të sigurisë afër zonës ku do të varroset Navalny

Forcat ruse të sigurisë janë duke u mbledhur afër varrezës Borisovskoye në Moskë, ku do të mbahet ceremonia mortore për kritikun e Kremlinit, Aleksei Navalny, para se të varroset trupi i tij.

Në platformën për mesazhe Telegram, po raportohet se në atë zona ka forca të mëdha të sigurisë.

Ceremonia do të mbahet në qarkun Marjino, ku ka jetuar Navalny për një kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh.

Në rrugën drejt kishës janë vendosur shumë gardhe metalike.

Ka raportime që të paktën 40 makina të policisë janë parkuar afër kishës në mëngjesin e 1 marsit.

Yarmysh ka thënë se për ata që nuk mund të marrin pjesë, ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube.

Ende nuk është e qartë sa njerëz do të marrin pjesë.

Qindra rusë janë arrestuar vetëm pse kanë dërguar lule nëpër qytet për të përkujtuar Navalnyn.

Ivan Pavlov, avokat i njohur rus për të drejta të njeriut, i cili është larguar prej shtetit, ka thënë se autoritetet ruse do ta konsiderojnë funeralin si “organizim masiv i padëshirueshëm” dhe do të tentojnë të kufizojnë sa më shumë numrin e pjesëmarrësve.

“Jam i sigurt që do të ketë kordone të policore dhe vëzhgim me video prej të gjitha anëve”, ka thënë ai.

“Si masë parandaluese, ata do t’i marrin në pyetje aktivistët nëpër stacione policore, apo do t’i vizitojnë nëpër shtëpi për t’iu dhënë paralajmërime. E kemi parë tashmë këtë”.

Në ceremonitë ortodokse, njerëzit zakonisht parakalojnë para trupit të të vdekurit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, dhe më pas ceremonia udhëhiqet prej një prifti dhe më pas një kori.

Ivan Zhdanov, ish-udhëheqës i Fondacionit të Navalnyt kundër Korrupsionit, ka thënë se ka thashetheme në media që vetëm familjarët do të mund të marrin pjesë në ceremoni.

Trupi i Navalnyt i është dorëzuar nënës së tij, Lyudmila më 24 shkurt, më shumë se një javë pas vdekjes së tij prej “shkaqeve natyrore” në një burg në rajonin rus të Arktikut.

Ai ka qenë 47-vjeçar.

E veja e Navalnyt, Yulia, ka thënë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është përgjegjës për vdekje e burrit të saj.

Edhe disa zyrtarë perëndimorë e kanë të njëjtin mendim./REL