Marshohet në Prishtinë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Me rastin e zyrtarizmit të 14 prillit  si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Zyra e Presidencës marshuan në mbështetje të të mbijetuarve.

Marshi nisi nga Sheshi “Ibrahim Rugova” deri te monumenti “Heroinat”- monument ky që u dedikohet grave të dhunuara gjatë luftës.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), tha se 14 prilli nderon dhe vlerëson të mbijetuarit e dhunës.

“Edhe zoti sot është me neve, në këtë ditë me shi, tani kemi diell. Sot e tutje kjo ditë do njihet si dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Falënderoj presidenten që mori këtë iniciativë. Kjo ditë shënon zërin e heshtur të viktimave. Kjo ditë na bënë rë bashkohemi si shoqëri e të japim mbështetje për këto viktima.  14 prilli i nderon dhe vlerëson të mbijetuarit e dhunës, këtë vit si moto kemi ‘ të rinjtë mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Shpresojmë që këto burra dhe gra të marrin guximin për të kërkuar drejtësi” – tha Rushiti.

Këshilltarja e presidentes, Donika Kadaj-Bujupi tha se të mbijetuarit duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit.

“Dhunimi i mbi 20 mijë grave në Kosovë por edhe ato që po ndodhin edhe në këtë shekull tregon nevojë që ti njohim këto viktima. Të mbijetuarit duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit. Pavarësisht këtij veprimi ç’njerëzor askush nuk arriti ti thyejë këta burra e gra. Vasfija, Shyhretja por dhe të gjitha ata burra e gra janë zëri ynë”- tha ajo.

Ndërkaq, viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman kërkoi për një minutë heshtje për një të mbijetuar të dhunës e cila sipas saj ka vdekur para disa ditësh.

“Para pak ditësh mora vesh se ka vdekur një e mbijetuarit e dhunës, dua të mbajmë një minutë heshtje për të. 14 prilli ka qenë dita më e keqe në jetën time, nga sot këtë ditë dua ta shndërrojë në forcë dhe kurajo” – tha ajo.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë tha se bashkë të ngrisin vetëdijen e shoqërisë për tmerrin që përjetuan këta persona.

Marshi në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, 14.04.2023- Foto:Ardita Zeqiri/KALLXO.com

“Ne përkulemi para guximit dhe forcës tuaj të pashembullt. Para dy ditësh qeveria e shpalli 14 prillin ditë memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Jemi bashkë dhe do ngrisim vetëdijen e shoqërisë për tmerrin që përjetuan këta persona. Duhet ta luftojmë stigmën dhe të jemi krah tyre. Lufta pati pasoja të rënda me shumë krime” – deklaroi Haxhiu.

Me propozim të Presidentes Vjosa Osmani, të mërkurën Qeveria mori vendim që 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryeministri i Kosoës Albin Kurti gjatë mbledhjes tha se ky vendim është marrë në bashkërendim me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Ai tha se shpallja e kësaj dite bëhet për të njohur dhimbjen dhe vuajtjen e grave e vajzave, por edhe të burrave e djemve të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99.

Marshi në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, 14.04.2023- Foto:Ardita Zeqiri/KALLXO.com

Presidentja Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit janë rreth 20,000 raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarët e forcave serbe.

Nga viti 2014, kur është miratuar legjislacioni, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë mund të marrin statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe të përfitojnë një pension prej 230 eurosh.

Sipas të dhënave mbi 1,000 personave u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.