Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Lushtaku i reagon Kurtit: UÇK-ja nuk është e askujt, është simbol i përhershëm

Ish- kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku i ka reaguar Kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit pas deklaratës së këtij të fundit se qeveria e cila do të udhëhiqej nga partia që drejton do të mbronte ushtarët e  UÇK-së.

Lushtaku në një postim në rrjetin social Facebook ka nisur shkrimin e tij duke thënë se “Për ta mbrojtur një vlerë, atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë, e kjo i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve. „Mbrojtja“ e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogjishë neveritëse”, ka shkruar Lushtaku.

Ai shtoi se UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti.

“UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri. Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njejtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi”, ka vazhduar Lushtaku.

Ai madje ka thënë se UÇK duhet të ruhet nga sic ka theksuar ‘pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta “gardianët” që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë’.

“UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike. Të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve”, ka përfunduar shkrimin Lushtaku.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme e ka quajtur rrezik të tretë Gjykatën Speciale, për të cilën thotë se me LVV në krye të Qeverisë luftëtarët e UÇK-së do të mbroheshin.

Ai tha se është për të të ardhur keq se askush nga Presidenca e as nga institucionet tjera “nuk po e çel gojën” përballë këtyre arrestimeve nga Gjykata Speciale.

Këto deklarata i bëri gjatë mbledhjes e këshillit të përgjithshme të LVV-së, e cila është mbajtur online.