Lumir Abdixhiku deklarohet për raportimet se Doarsa Kica-Xhelili ka kaluar në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Kryesisë  së LDK-së u pyet për raportimet se deputetja e Partisë Guxo, Doarsa Kica-Xhelili, ka kaluar në LDK.

Abdixhiku tha se Kica-Xhelili është një nga deputetet më profesioniste të Kuvendit të Kosovës dhe secila parti do kishte nder ta ketë në radhët e veta.

Lidhur me raportimet për kalim të saj në LDK, Abdixhiku shtoi se për çdo të re do raportojnë në kohën e duhur.

“Tani unë kam thënë edhe më parë që deputetja Doarsa Kica Xhelili është një nga deputetet më profesioniste të Kuvendit, ajo ka treguar integritet të lartë në secilën temë që e ka trajtuar deri tani dhe ne në vazhdimësi kemi thënë që jemi të hapur për njerëz profesionistë. Për çdo të re do merrni vesh në kohën e duhur. Ajo është një deputete me integritet të lartë dhe secila parti politike do kishte nder ta ketë në radhët e veta”- ka thënë Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku tregoi edhe për temat që diskutuan në mbledhjen e Kryesisë. Sipas tij, theks iu dha gjendjes ekonomike e politike në vend.

“Folëm për gjendjen politike dhe ekonomike në vend, në radhë të parë për gjendjen e vështirë të qytetarëve tanë, kriza energjetike që do vijë. Ne kemi dhënë propozime dhe nuk kemi marrë përgjigje, biseduam për grevën në arsim, besojmë që kërkesat e mësimdhënësve janë legjitime në krizë të inflacionit rekord meritojnë ngritje të pagave” – shtoi më tej i pari i LDK-së.

Ai potencoi se Qeveria duhet të ulet të bisedojë me grevistët e mos ta shndërrojë këtë në betejë politike me opozitën.

“Qeveria duhet të ulet të dialogojë me ta dhe jo të flasë në distancë. Mos ta shndërrojë këtë në betejë politike me opozitën sepse nuk është. LDK nuk organizon greva, por qëndron me mësimdhënësit tanë, Qeveria të gjejë një zgjidhje që fëmijët të kthehen në shkolla”-shtoi ai.

Sipas Abdixhikut, brenda dy muajve të ardhshëm do bashkëbisedojmë nëpër qytete e fshatra me njerëzit për t’i dëgjuar problemet e tyre.