Lumbardhi i Deçanit, aty ku nisi misioni i madh i pajtimeve të shqiptarëve (VIDEO)

Në muajin shkurt të vitit 1990 në Lumbardh të Deçanit, filloi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës.

Nga ky fshat nisi aksioni i lavdishëm për pajtimin e gjaqeve, i cili për vetëm pak kohë mori përmasa kombëtare duke u shtrirë në gjithë hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi.

Për të përkujtuar këtë ngjarje në fshat është ndërtuar edhe një obelisk.

31 vjet më pas, protagonistët i kujtojnë momentet më të veçanta të këtij aksioni

Murteza Lekaj, banor i Lumëbardhit, një prej aktivistëve për pajtimin e gjaqeve që nga fillimi, tregon se aksionit për pajtimin e gjaqeve që nisi me 2 shkurt, i ka paraprirë 5 janari i 1990-ës.

Në këtë datë sipas tij, familja Lekaj nga ky fshat i fali një plagë familjes Gashi.

Lekaj thotë se me 1990 Lumëbardhi i kishte dy gjaqe dhe një plagë, e ndonjë ngatërresë të vogël aty këtu.

“Mirëpo të gjithë, rinia e përkrahur edhe nga pleqtë trima të asaj kohe, arriti që me sukses, t‘i përmbyllë dhe t’i pajtojë. Pra me 5 janar falet plaga e parë. 2 shkurt 1990, aksioni i pajtimin në Lumbadh filloi. Vijnë personalitete dhe fillon aksioni. Është një lum i të gjitha shtresave të shoqërisë sonë që morën pjesë dhe e përkrahën nismën e Lumbardhit. Më 2 shkurt familja Lekaj, Isa Lekaj protagonist i asaj ngjarjeje, na i dha dy muaj besë dhe nga aty startuam. Më pas familja Ukaj, Salman Ukaj e falë gjakun”, ka thënë Lekaj.

Falja e gjakuat nuk ishte e lehtë

“Emocionet gjatë faljes së gjakut ishin shumë të mëdha, sepse dikush ka fal gjakun e babait, dikush të vëllait, dikush të djalit, e kështu me radhë”.

Dervish Ukaj, banori i Lumbardhit, tregon momentet kur familja e tij vendosi ta falë gjakun e axhës së tij.

Ai tregon se nuk e kishin të lehtë të falnin gjakun e axhës, edhe pse në dyert e familjes së tij kishin trokitur nismëtarët e pajtimit të gjaqeve.

“Na e kemi pas gruan e mixhës në shtëpi. S’ka lanë djalë as çikë, e për atë e kem pas ma zor. Ato vajza ata djem na kanë dhënë kurajo, që aq mirë janë sjellë, aq mirë kanë folë, por e kishim gruan e mixhës gjallë, edhe atë u dashke me pyet. E pyetëm, Selmani (vëllai) e pyeti, ajo pranoi dhe atë ditë që ka pranuar gruaja e mixhës, pasandej kanë ardhur dhe e kemi bërë pajtimin. Ka qenë Selim Avdija, kanë qenë pleqtë e katundit, kanë marrë pjesë atë ditë. Selmani ka qenë iniciatori me falë, unë jam kanë iniciatori mos me falë”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht, mospajtimeve ai mendon se falja ka qenë një veprim i duhur.

“Po, ka qenë veprim i mirë e i duhur për hatër të rinisë, të popullit të Kosovës e kemi ba, se t‘ishte kanë baba jonë ose vëllai e kishim pas pak ma kollaj me falë se sa për mixhë, se atij iu ka shkymë (shuar) hisja, s’ka lanë djalë as çikë, e për atë u kanë vështirë. Nuk e ç’bëjë sot me ma dhanë gjysmën e Kosovës”, thotë Dervish Ukaj.

Ndërkaq, Zymer Neziri, një prej aktivistëve të pajtimit të gjaqeve thotë se nismëtarët dhe Këshilli i Pajtimit bënë një punë të madhe për t’i dhënë fund vëllavrasjeve.

Sipas tij, tejkalimi i normave kanunore për pajtimin e gjaqeve nga fillimi i shkurtit të 1990, solli sukses në mision dhe se faljet ishin pa kushte.

“Unë mendoj se çelësi i suksesit ka qenë se nuk është kryer pajtimi me Kanun. Është kryer jashtë normave të Kanunit, do të thotë, falja është kërkuar në emër të popullit të Kosovës falja është kërkuar në emër të rinisë së saj dhe falësit në shumicën e rasteve kanë thënë: Në emër të popullit të Kosovës, po ta fali gjakun, po ta fali plagën ose në emër të rinisë, ose në emër të flamurit”,  ka thënë Neziri.

Neziri thotë se pajtimet janë penguar nga pushteti i atëhershëm serb

“Kemi pasur rast kur pushteti i atëhershme bënte presion tek familjet, sepse ai kishte përdor armën në një vend ku nuk duhej dhe njëherësh duhet të mbante edhe burg, edhe për armëmbajtje edhe përdorimin e saj dhe i kishin vënë kusht në qoftë se t’i e falë gjakun të pret burgut”, ka thënë Neziri.

Nismëtar të bërthamës së e Lëvizjes së Pajtimit – Këshillit të Pajtimit, ishin një grup studentësh: Havë Shala, Myrvete Dreshaj, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj.

Më pas grupi iu bashkuan shtresat të ndryshëm të shoqërisë që nga: studentët, intelektualët, ish të burgosurit politikë, etj.