Arkiv: Lista Serbe, Foto: REL

Lista Serbe thotë se “persona që flisnin shqip” qëlluan në drejtim të një shkolle të nxënësve të komunitetit serb, akuzon Kurtin e Sveçlën

Lista Serbe po pretendon se mbrëmë disa persona “që kanë folur shqip” kanë shtënë nga një automjet në drejtim të një shkolle fillore ku mësojnë nxënës të komunitetit serb në Uglar të Fushë-Kosovës.

Siç thotë ajo, askush nuk është lënduar, por ka shtuar se incidenti ka shkaktuar frikë të serbët në Kosovë, sidomos te ata në Kosovën qendrore.

Për këtë incideent LS e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Ky sulm është pasojë e drejtpërdrejtë e retorikës anti-serbe të regjimit të Albin Kurtit, i cili deri më tani asnjëherë nuk është distancuar nga kriminelët që sulmojnë fëmijët serbë, serbët dhe pronat e tyre dhe as nuk ka kërkuar publikisht dënimin e përgjegjësve” – thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

Sipas Listës Serbe, heshtja e Kurtit merret si miratim që të vazhdojnë sulme të tilla dhe që institucionet e sigurisë të mos bëjnë asgjë për të ndëshkuar siç duhet përgjegjësit, apo për të parandaluar sulme të reja.

Për Sveçlën LS ka shkruar se nuk ka qëllim të mbrojë serbët në Kosovë, por t’i ngacmojë dhe persekutojë ata.

“Nuk ka asnjë vendim të Qeverisë në Prishtinë dhe as të ministrit Sveçla për të dërguar forca speciale për të gjetur përgjegjësit e këtyre krimeve dhe për të parandaluar sulmet ndaj serbëve” – është shkruar tutje.

Në fund, Lista Serbe ka pyetur EULEX-in, KFOR-in, UNMIK-un, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe ambasadat e vendeve të Quint-it se kur ata do të dënojnë qartë sulmet ndaj serbëve, kur do të kërkojnë arrestimin dhe dënimin të atyre që janë përgjegjës dhe kur do të kërkojnë që institucionet e Kosovës të ndalojnë ngacmimet e serbëve e t’ju ofrojnë atyre paqe dhe siguri.

Lidhur me këtë incident të pretenduar, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Policisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.