Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Linda Shala: Suksesi i sportit të Kosovës nuk është meritë e Besim Hasanit

Nënkryetarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe kandidate për kryetare të Komitetit Olimpik të Kosovës, Linda Shala, ka thënë se të arriturat sportive në Kosovë nuk janë meritë e një njeriu, duke iu refuar kryetarit të KOK-ut, Besim Hasani, që është krye të institucionit që 25 vite.

“Unë po du me u ndërlidh me Besim Hasanin edhe me thënë që krejt këtu ku ka mbërri sporti i Kosovës, nuk është meritë e një njeriu. Unë mendoj që është një ekipë shumë e madhe e njerëzve të cilët kanë punu për ndërkombëtarizimin edhe fuqizimin e sportit edhe me pru aty ku jemi sot”, ka thënë Linda Shala në emisionin “Kallxo Pernime”.

Ajo ka përmendur njerëzit nga pingpongu që kanë bërë shumë për ndërkombëtarizimin e sportit.

“Mendoj që një punë të madhe e kanë kryer njerëzit e Federatës së Pingpongut, që ka qenë federata e parë. Mandej Federata e Hendbollit, pastaj njerëzit që kanë punuar në federatat tjera që janë ndërkombëtarizu dhe një ekip i njerëzve që nuk kanë qenë aktivë drejt në sport, por kanë pasur lidhje dhe komunikime të ndryshme”, ka thënë nënkryetarja e FBK-së, Linda Shala.

Shala ka thënë se meritat për sukseset e sportit nuk bën t’i përvetësojë askush sepse, sipas saj, ka qenë një punë kolektive në këtë rrugëtim.