Lihet pas dore Memoriali i të mbijetuarave të dhunës në Kosovë

I ndërtuar nga 20 mijë medalje të cilat formojnë portretin e heroinës për nder të të dhunuarave të luftës, Memoriali “Heroinat” në Prishtinë nuk e ka mirëmbajtjen e duhur institucionale e madje as kujdesin qytetar.

Në gjashtëmbëdhjetë vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ky Memorial u përurua në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit për të shpërfaqur sakrificën dhe plagët e të mbijetuarave të dhunës nga lufta e fundit në Kosovë. Por, sot pas gjashtë vjetësh ky relikt i rrethuar me gjelbërim nuk po mirëmbahet, ndonëse për gati çdo datë të rëndësishme vizitohet nga liderët e shtetit.

Pjesa fizike e memorialit nuk është e mirëmbajtur, është mbishkruar me shkrime që ia prishin imazhin, e ka kapluar papastërtia dhe në pamje të parë mund të shihet si një e lënë pas dore. Mungesa e një sigurimi, një punëtori të mirëmbajtjes e një rrethimi adekuat të memorialit e ka shndërruar atë në një park të zakonshëm të Prishtinës.

Memoriali “Heroinat”, FOTO: KALLXO.com

Xhevrije Hetemi, qytetare nga Prishtina tha se mungesa e edukimit të popullatës ka bërë që memorialet e tilla të vijnë në këtë gjendje.

“Nuk i ka mbet njerëzillëk askujt. Nuk ke çka çuditesh kur bërllokun e vet e gjuajnë në oborr. E me prit që po kujdesen për gjëra tjera. Turp është që një objekt i tillë me ardhë në këtë derë. Nuk po mendojnë aq njerëzia e po ja humbin vlerën gjërave me këto sjellje”, tha ajo për KALLXO.com.

Sipas saj, rinia dhe institucionet nuk ia dijnë vlerën dëmeve të mëdha që i ka shkaktuar lufta në Kosovë.

Ndërtimi i këtij Memoriali në nder të gruas u votua njëzëri në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit 2012.

Memoriali u zbulua 12 qershor 2015, por pas një muaji nga përurimi ai kishte filluar të ndryshket.

Fytyra e konturuar nga medaljet ka një kuptim të dyfishtë, ajo përshkruan një të mbijetuar dhe një heroinë të luftës. Ndërsa fytyra nuk bie në ikonografi heroike, memoriali në tërësi nuk arrin të njohë përvojën heterogjene të grave dhe nuk përmban cilësi të individëve.

Ngritja e këtij relikti kishte nxitur një debat midis aktivisteve feministe që besuan se kjo praktikë përkujtimore zvogëloi përvojat e grave.

KALLXO.com ju sjell fotografi nga gjendja aktuale e memorialit.

Memoriali “Heroinat”, FOTO: KALLXO.com

 

Memoriali “Heroinat”, FOTO: KALLXO.com

 

Memoriali “Heroinat”, FOTO: KALLXO.com