Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Lëndët e vitit 2021-2022 që aktualisht janë në Gjykatën e Apelit do të rishpërndahen proporcionalisht tek gjyqtarët

Qerim Ademaj, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovë – KGJK, në mbledhjen e 323-të këtij institucioni të mbajtur më 29.03.2029, bëri të ditur se të gjitha lëndët në Gjykatën e Apelit do të rishpërndahen, rrjedhimisht do të kthehen në pikën zero.

Në këtë mbledhje e mbajtur më datë 29.03.2024 pikë e rendit të ditës ishte edhe prezantimi i raportit për rishpërndarjen dhe balancimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit.

Të njëjtin e bëri Qerim Ademaj anëtar i KGJK-së i zgjedhur nga Gjykata e Apelit.

Ai konfirmoi se është bërë përcjellja e raportit për rishpërndarjen e lëndëve civile të vitit 2021, 2022 në Gjykatën e Apelit tek anëtarët e KGJK-së.

Ndër të tjera ai tha se është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm i degës civile të Gjykatës së Apelit dhe është arritur dakordim se lëndët civile të vitit 2021 dhe 2022 duhet të rishpërndahen dhe të balancohen në raport me të gjithë gjyqtarët.

“Për dijeninë time nuk ka ndodhur asnjëherë në histori të sistemit tonë që të gjitha lëndët të merren, të kthehen në pikën zero në mënyrë që të jetë një start i barabartë për të gjithë” – tha Qerim Ademaj, anëtar i KGJK-së.

Ai bëri të ditur se rreth 180 lëndë të vitit 2020 nuk do të rishpërndahen sepse nuk është numër i madh i tyre.

“Ideja është që këto lëndë [të vitin 2020] të përfundohen deri në fund të muajit maj” – tha më tutje Ademaj.

“Do të rishpërndahen 1431 lëndë të vitit 2021, dhe pas rishpërndarjes secili gjyqtar do t’i ketë nga 55 lëndë. Pastaj kalohet në lëndët e vitit 2022, dhe pas rishpërndarjes së 2493 lëndëve secili gjyqtar do t’i ketë nga 114 lëndë” – shpjegoi Ademaj.

Në prezantim gjithashtu u tregua për afatet e paracaktuara për përfundimin e lëndëve, dhe u qartësua se për përfundimin e lëndëve të vitit 2021 afati i fundit do të jetë fundi i muajit korrik, kurse për lëndët e vitit 2022 fundi i vitit.

Anëtarja Drita Rexha që edhe vetë është gjyqtare e Gjykatës së Apelit i përgëzoi gjyqtarët dhe kryetarin e Apelit për këtë iniciativë.

Sipas saj një shpërndarje e tillë e barabartë nuk ka qenë prezente më herët, dhe se praktika e mëparshme ka qenë që gjyqtarët e rinj të ngarkohen më tepër.

Gjatë prezantimit Ademaj foli edhe për rreziqet e kësaj iniciative.

“Rreziqet mund të jenë nga më të ndryshmet, meqenëse është edhe diçka që po ndodhë për herë të parë, rreziku kryesor është vetë vonesa në shpërndarjen e këtyre lëndëve ndaj dhe kemi caktuar afate kohore strikte për komisionin që do të bëjë rishpërndarjen. Rrezik tjetër është ngatërresa e ndonjë lënde, ndaj dhe kemi kërkuar nga komisioni që asnjë lëndë të mos pranohet pa u regjistruar. Për një kohë të caktuar do të kemi vështirësi të dijmë se ku është lënda kur palët të na drejtohen sepse lënda do të lëvizë” – tha Qerim Ademaj.

(Shënim: Tekstit i është ndryshuar titulli, tek fjala “kthim në pikën zero në rishpërndahen” – Koha e editimit: 16:12 – 29.03.2024)