'Lëmshi' me emërimet e drejtorëve në Komunën e Vushtrrisë

Në më pak se një muaj, në Komunën e Vushtrrisë janë bërë lëvizje në pozitat e drejtorëve komunal nga kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi.

Katër drejtoritë që pësuan ndryshime të drejtorëve brenda disa javësh në Vushtrri janë Drejtoria e Prokurimit, Drejtoria e Investimeve Kapitale, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ajo e Diasporës dhe Inegrimeve Europiane.

Për asnjërën nga këto ndryshime, Komuna e Vushtrrisë nuk ka dalur me njoftime publike për emërimet e reja.

Megjithatë, KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e kësaj komune Ferit Idrizi, i cili fillimist më datë 17.05.2024 kishte konfirmuar për lirimin nga detyra të Ilmi Azemit nga pozita e Drejtorit të Porkurimit, pasiqë sipas Idrizit, Azemi në krye të kësaj drejtorie  ishte emëruar pa licensë të prokurimit.

“Drejtorit të Prokurimit veç ia kam ndërru pozitën. Unë kam të drejtë me ndërru pozita kur e shoh që tubohen lëndët dhe s’munden me u përcjellë e me u procedu, i’a kam ndërru pozitën”- kishte deklaruar Idrizi më 17.05.2024 duke shtuar se Azemin e kishte emëruar në Drejtorinë e Investimeve Kapitale, pa sqaruar se në çfarë pozite e ka kaluar Raif Lahun, i cili deri në atë kohë mbante pozitën e Drejtorit të Investimeve Kapitale.

Për këtë ka pasur reagime edhe nga opozita. Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com LDK në Vushtrri kanë deklaruar se po në të njëjtën periudhë, Ilmi Azemi ka qenë duke mbajtur pozitën e drejtorit në dy drejtoritë komunale, atë të Prokurimit dhe në Drejtorinë e Investimeve Kapitale.

“Emërimi i dy drejtorëve për një drejtori është absurditet që shfaq një mungesë të theksuar të menaxhimit efikas të kësj keqqeverisje. Ky është një dështim skandaloz i Feritit që reflekton keq në udhëheqjen komunale dhe ngre dyshime serioze për integritetin e komunës”- ka thënë Shkelzen Xhaferi nga kjo parti.

Siç theksojnë nga LDK në këtë komunë, Idrizi e ka emëruar Ilmi Azemin si kryesues i Drejtorisë së Investimeve Kapitale, pa e liruar nga pozita e njëjtë drejtorin e kësaj drejtorie, Raif Lahun.

E i pari i Vushtrrisë, për këtë është shprehur se pas marrjes së licensës së prokurimit, Ilmi Azemi është rikthyer në krye të Drejtorisë së Prokurimit, ndërkaq drejtoresha, e cila për vetëm disa javë  udhëhoqi Prokurimin në Vushtrri, Idrizi ka konfirmuar se pas kësaj tashmë e ka emëruar si udheheqëse të sektorit të së njëjtës drejtori.

Ndërkaq, sipas Idrizit gjatë kohës që Ilmi Azemi mori nën udhëheqje Drejtorinë Investimeve kapitale, Raif Lahun e zhvendosi në Drejtorinë e re të Diasporës dhe Integrimeve Europiane.

Ndërkaq, tashmë, me diasporën në Vushtrri është duke udhëhequr Medina Bunjaku, e njëjta ka konfurmuar se me vendim të kryetarit, ka kalaur nga Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sporit në atë Diasporës.

“E kam ba një zhvendosje, Raif Lahun e kam kalu te Drejtoria për Diasporë dhe Inegrime Europiane. Raif Lahu ka qenë drejtori për Diasporë, Medina ka pushu një muaj dhe tash janë ardhë në vend tamam”.

KALLXO. com më 10.06.2024 ka raportuar për themelimin e drejtorisë  për Diasporë dhe Integrime Europiane në Vushtrri.

Komuna e Vushtrrisë themelon Drejtorinë për Diasporë dhe Integrime Europiane