Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lekaj: Qeveria e ka barrën për zgjidhjen e ngërçit me greva

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj duke folur për grevën e përgjithshme në Kosovë, ka thënë se barrën për zgjidhjen e kësaj çështje e ka qeveria.

Ai ka akuzuar qeverinë që sipas tij nuk po preokupohet për të zgjidhur këtë ngërç.

“Në njërën anë kemi një grevë të të gjitha sindikatave dhe në anën tjetër një qeveri që nuk preokupohet për të zgjidhur këtë ngërç. Pavarësisht rrethanave, barrën për zgjidhje e ka qeveria. Nuk kemi kohë për të humbur pasi janë duke pësuar nxënësit, mësimdhënësit prindërit dhe të gjithë qytetarët që duan të kryejnë punë në komuna e institucione” – ka thënë ai.

Lekaj i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ulë tensionet karshi sindikatave dhe të gjej zgjidhje.

“Edhe në Kosovë, sindikatat kanë bërë një punë të shkëlqyer ku në secilin qeveri, sindikatat kanë qenë zë i fuqishëm. Nuk është momenti që SBASHK-u dhe sindikatat tjera të goditen në forma të ndryshme. Andaj ju bëj thirrje qeverisë që të ulni tensionet” – ka thënë Lekaj.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon sot debatin parlamentar për grevën në Kosovë.

Në Kosovë po vazhdon ende greva e BSPK-së e cila ka filluar më 25 gusht.