LDK: Demokracia nuk guxon të rrezikohet nga asnjë qeveri, aq më pak nga një qeveri populliste

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Vendimi i sotëm përveç se konfirmim i shkeljeve të rënda në një ligj jetik mbi pavarësinë e administratës shtetërore dhe shërbyesve civil, është dhe konfirmim i një praktike tashmë fenomen të shkeljeve kushtetuese nga Qeveria e Kosovës” – thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Ata thonë se Qeveria e Kosovës për tre vite ka bërë 10 shkelje kushtetuese.

“Demokracia jonë shtetare nuk guxon të rrezikohet nga asnjë qeveri, aq më pak nga një qeveri populliste e me tendenca autokratike si kjo e tanishme, e cila për tri vite ka bërë tashmë plot 10 shkelje kushtetuese”.

Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte dërguar më 20.10.2023 në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

“Ky ligj është në shkelje kushtetuese në disa nga shtyllat e tij kryesore. Drejtësia kushtetuese është shtylla e garantimit të sistemit demokratik, dhe kjo thirrje për një vlerësim të thelluar është hapi i parë drejt sigurisë së mëtejshme të demokracisë sonë. Ne duhet të ruajmë integritetin e Kushtetutës dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe transparente”- kishte shkruar Gashi në Facebook pas dërgimit të Ligjit në Gjykatë Kushtetuese.