Largohet kordoni i Policisë, protestuesit depërtojnë në oborrin e Qeverisë

Me thirrjen “Lufta është e jona jo e Qeverisë”, pjesëmarrësit e protestës së thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, kanë depërtuar në oborrin e Qeverisë pasi kordoni i Policisë është larguar.

Një numër i zyrtarëve policorë po pengonin depërtimin e protestuesve në oborr, mirëpo pas një bisede me përfaqësues të KMVF-së, Policia ka larguar kordonin.

Një numër qytetarësh po protestojnë në sheshet e Prishtinës kundër dhunës dhe vrasjeve të grave.

Protesta është thirrur pas rastit të fundit, gjatë të cilit është vrarë Liridona Ademaj.

Tre të dyshuar për vrasjen e saj tashmë janë arrestuar. Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

“Drejtësi për Liridonën”, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, “Vrasësit e grave në burg”, “Për gratë çdo ditë është Luftë”, janë disa nga pankartat që po mbajnë protestuesit në duar.