Lansohet platforma për identifikimin e komunave me rrezik të lartë të braktisjes së shkollës nga vajzat e komuniteteve joshumicë

Është bërë përmbyllja e projektit dhe lansimi i hartës digjitale dhe platformës e cila identifikon komunat ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë rrezikojnë të braktisin arsimin.

Në kuadër të kësaj platforme, janë publikuar arsyet e braktisjes së arsimit. Platforma është hartuar nga ‘IPKO Foundation’ dhe është mbështetur nga ‘UN Women’ në kuadër të projektit “Rikthimi në Normalen e Re” apo “Return to (New) Normal”.

Në kuadër të këtij projekti, Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Peja dhe Fushë Kosova janë identifikuar si komunat me shkallën më të ulët të frekuentimit të shkollës nga gratë e reja dhe vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Këto 5 komuna të Kosovës janë identifikuar dhe me nivele të larta të rrezikut nga braktisja e shkollës prej grave të reja dhe vajzave të këtyre komuniteteve jo-shumicë.

Arsyet e braktisjes së shkollës janë kushtet e rënda ekonomike, diskriminimi në baza gjinore e racore, martesat e hershme, si dhe së fundi, edhe pandemia COVID–19.

Përgjatë përgatitjes së platformës dhe hartës digjitale, janë bërë sondazhe me vajzat përfituese të këtij projekti, për të kuptuar më thellë problemet që hasin ato.

Sipas hulumtimit del se rreth 63 studente dëshirojnë të ndjekin shkollën e lartë dhe të bëhen doktoresha dhe infermiere, 24 studente dëshirojnë të bëhen floktare ose grimere, 24 duan të bëhen shkencëtare, 23 duan të bëhen mësuese ose edukatore, 22 duan të bëhen police dhe 15 nuk e dijnë ende.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se këto vajza janë të interesuara dhe të motivuara t’i vazhdojnë mësimet dhe të ndjekin shkollën.

Gjetjet kryesore të nxjerra nga përgjigjet e drejtorive komunale të arsimit, Ekipi i Parandalimit dhe Përgjigjes ndaj Braktisjes dhe Mosregjistrimit në Arsimin e Detyrueshëm (PRTAN), tregojnë që në secilën komunë kërkohet që të gjitha shkollat dhe arsimtarët të marrin trajnime shtesë, të ndahen fonde që i ndihmojnë këto shkolla në aktivitete si dhe të ketë më shumë prindër të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në këto shkolla.

Kjo platformë me hartën digjitale do të ndikojë të kuptohen faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të vajzave të reja dhe grave të këtij komuniteti që potencialisht mund të braktisin shkollën dhe të ndalohet ky fenomen.

Ky projekt zbatohet nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara (UN Women, UNICEF, UNFPA dhe WHO) dhe mbështetet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

KALLXO.com ka transmetuar drejtpërdrejtë lansimin e raportit dhe platformës së hartësimit digjital që identifikon komunat ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë rrezikojnë të braktisin arsimin.