Kuvendi nuk ka kuorum për votimin e rezolutës për uljen e çmimit të rrymës

Në mungesë të kuorumit për të hedhur në votim rezolutën për uljen e çmimit të rrymës, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e seancës së sotme.

“Nuk kemi kuorum, në mungesë të kuorumit për votimin e propozim rezolutës, ndërpritet seanca e sotme. Për vazhdimin e seancës do të njoftoheni nga Kryesia e Kuvendit”- ka thënë nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani i cili e ka udhëhequr seancën e sotme.

Debati i thirrur nga opozita për çështjen e faturave të energjisë elektrike ka zgjatur sot mbi 4 orë.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë kritika nga deputetët opozitarë lidhur me menaxhimin në sektorin e energjisë.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova është shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirë në rajon e Europë. Ndërsa shtoi se kriza u përballua në mënyrën më të mirë të mundshme ndonëse dy vitet e fundit ishin sfiduese në këtë sektor.

Seanca e jashtëzakonshme sotë është karakterizuar edhe me tone të ashpra mes deputetëve në Kuvend.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila janë përplasur lidhur me pozitat politike që kanë bartur ndër vite.

“Për me pa ku e ke vendin del në zgjedhje e vetme, mos u kacavirr në lista të zgjedhjeve tjera, ashtu matemi unë e ti”- u shpreh deputetja Bajrami.

Ndërsa, Kusari – Lila tha se LDK-së, ua ka tregu vendin qytetari përmes votës.