Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi nuk ka kuorum për votimin e Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj

Kuvendi i Kosovës e ka shqyrtuar në parim Projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës por ky projektligj pas debatit nuk kishte kuorum për t’u votuar.

Deputetët e opozitës nuk e përkrahën këtë projektligj duke dhënë kritika për deputetët e shumicës të cilët sipas tyre, janë vetëm 12 në seancë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha tha se nuk duhet të votohet ky projektligj pasi, sipas tij, u mundëson shteteve jo mike siç është Rusia, Kina dhe Serbia të blejnë pronë përmes personave të deleguar.

Basha tha se mazhoranca i ka vetëm 12 deputetë në sallë dhe po kërkojnë nga opozita t’ua shtyjnë përpara ligjet e “këqija”.

“Nuk besoj që ne si deputetë duhet me votu një projektligj të tillë dhe kjo sepse është shqetësuese në formën që ka ardhë për shkak të abuzimeve të mundhshme përmes blerjeve të pronave pa kontroll të shtetsave të huaj apo dhënie me qera dhe koncesione që i bjen që nesër ia mundësojnë Rusisë Kinës apo Serbisë blerjen përmes personave të deleguar me ble prona në Kosovë”, tha Basha.

Deputeti i LDK-së Shkëmb Manaj tha se e mbështesin në parim këtë projektligj dhe se kontributin e tyre do ta japin ndërmjet dy leximeve.

“Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i çështjeve pronësore të huaj fizik e juridik ku përfshihen krijimi, përmbajtja, bartja, mbrojtja, kufizimi dhe shuarja e të drejtave pronësore të shtetasve të huaj në pronësi apo të drejta tjera sendeore që mund të krijohen sipas ligjit”, tha Manaj.

Abelard Tahiri, deputet i PDK-së, tha se grupi parlamenar i tyre do të përmbahet nga votimi dhe se do ta votojnë kur mazhoranca do t’i ketë 61 deputetë në sallë.

“Përmes këtij projektligji arrijmë me rregullu edhe çështjen e shumë bashkatdhetarëve tanë të cilët janë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës e që jetojnë në vendet gjermanofolëse dhe në anë tjetër u mundësohet e drejta të kenë pronë në cilësinë e shtetasve të BE në Republikën e Kosovës. Grupi Parlamenar i yni do të përmbahet nga votimi dhe se do ta votojmë kur mazhoranca do t’i ketë 61 deputetë në sallë”, tha Tahiri.

Përkrahje ka dhënë AAK dhe NISMA për këtë projektligj.

Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se zbatimin e këtij projektligji e kanë obligim të MSA-së.

Ai siguroi se sa i përket blerjeve nga shetet jo mike kanë mekanizma të mjaftueshëm për t’i kontrolluar transaksionet.

“Sa i përket blerjes nga shtete jo mike unë ju siguroj që kemi mekanizma të mjaftushëm shtetëror t’i kontrollojë transaksionet e tilla. Duhet ta shohim mundësinë që ky ligj i jep diasporës që nuk ka shtetësi të Kosovës të përfshihet në Kosovë duke blerë pronë”, tha ministri.