Kuvendi i Kosovës mban nesër dy seanca

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen nesër për të mbajtur dy seanca plenare.

Seanca e parë është paralajmëruar për në ora 10:00 dhe pritet të nisë me debatin parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023.

Ndërsa në rend të ditës është edhe shqyrtimi i disa projektligjeve, ndërsa nesër pritet të zgjidhen tre anëtarët e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndërsa, në ora 16:00 Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancën e dytë, e cila në rend të ditës ka votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë bartur nga seanca e kaluar.

Përveç këtyre, pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Fondin Sovran të Kosovës.

Të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese votimin e Projektligjit për Fondin Sovran.

Rendi i ditës

14.    Debat parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023,
15.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
16.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
17.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
18.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
19.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
20.    Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
21.    Votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
22.    Shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
23.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
24.    Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,
25.    Emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës,
26.    Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
27.    Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Rendi i ditës

1.    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
4.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
5.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
6.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
7.    Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
8.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës,
9.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-245 për Artin dhe Kulturën,
10.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri, 
11.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendror të Republikës së Kosovës, për vitin 2022.