Etem Arifi (në këmbë) gjatë një gjykimi.

Kushtetuesja mban seancë publike për vlerësimin e votimit të Qeverisë Hoti nga deputeti i dënuar me burg, Etem Arifi

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet që të mbajë seancë publike për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar që Qeveria Hoti të shpallet anti-kushtetuese.

Këtë kërkesë Vetëvendosja e kishte parashtruar përmes deputetëve të saj dhe kishte kërkuar që votimi i Qeverisë Hoti të shpallet i pavlefshëm pasi Qeveria ishte zgjedhur me votën e Etem Arifit, i cili sipas tyre nuk e ka pasur mandatin e deputetit pasi ishte dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, ka thënë për KALLXO.com se seanca publike është caktuar të mbahet më 2 dhjetor të këtij viti.

“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë”, ka thënë Dula.

Ai shtoi se si pasojë e pandemisë seanca do të mbahet online.

Përpos se do të ketë seancë dëgjimore Dula tha se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar interpretim për këtë çështjeje edhe në Komisionin e Venecias.

“Njëherësh, duke pasur parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit’, tha Dula.

Kërkesa për shpalljen anti-kushtetuese të votimit të Qeverisë Hoti kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese në qershor të vitit 2020.

Përmes kësaj kërkese deputetët e LVV-së kishin kërkuar nga Kushtetuesja që ta vlerësojë votimin e Qeverisë nga ana e ish-deputetit Etem Arifi pasi sipas tyre paraqet shkelje të Kushtetutës.

“Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, thuhej në komunikatën e LVV-së.

Deputeti Etem Arifi ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim në maj të vitit 2019 nga Gjykata e Apelit. Arifi kishte bërë ankesë edhe në Gjykatën Supreme, kërkesë kjo e cila i ishte refuzuar.

Ndonëse ishte i dënuar, Etem Arifi kishte votuar edhe për formimin e Qeverisë edhe për rrëzimin e saj.

Ai ishte shpallur fajtor për “vjedhjen” e rreth 26 mijë eurove.

Arifi u dënua pasi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrisë për Integrim nuk i kishte përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

https://kallxo.com/lajm/kushtetuesja-e-refuzon-ankesen-e-deputetit-etem-arifi-per-denimin-me-burg/