Etem Arifi (në këmbë) gjatë një gjykimi.

Kushtetuesja e refuzon ankesën e deputetit Etem Arifi për dënimin me burg

Deputetit Etem Arifi, i dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione, i është refuzuar ankesa për këtë dënim nga Gjykata Kushtetuese.

Arifi i ishte drejtuar Kushtetueses për të vlerësuar kushtetueshmërinë e vendimit të Gjykatës së Apelit që e kishte dënuar atë dhe vendimit të Gjykatës Supreme që i kishte refuzuar ankesën ndaj vendimit të Apelit.

Deputeti kishte kërkuar që ndaj vendimit të Gjykatës të vendoset masë e përkohshme që e pezullon ekzekutimin, përkatësisht vuajtjen e dënimit me burg për Arifin.

Kujtojmë se edhe pse i dënuar me vendim të plotfuqishëm, Arifi gjendet në arrati.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Deputeti Etem Arifi ishte akuzuar se si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.

Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018,  janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Lidhur me vendimin e Apelit , Arifi kishte bërë ankesë edhe në Gjykatën Supreme, kërkesë kjo e cila i ishte refuzuar.

Ndonëse ishte i dënuar, Etem Arifi kishte votuar edhe për formimin e Qeverisë edhe për rrëzimin e saj.

Vota e tij ishte kontestuar edhe në Gjykatë Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vota e deputetit të dënuar me burg formoi e rrëzoi qeveri