Gjykata e Prishtinës nuk e di vendndodhjen e deputetit të dënuar, Etem Arifi

Ende nuk dihet vendndodhja e deputetit Etem Arifi, tashmë të dënuar me vendim të  formës së prerë nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale mashtrim me subvencione me 1 vit e 3 muaj burgim.

Për të dërguar të dënuarin Arifi për vuajtje të dënimit Gjykata e Prishtinës lëshoi urdhër-arrest.

E për ekzekutimin e kësaj urdhërese Gjykata e Prishtinës ende nuk është njoftuar nga Policia e Kosovës.

Zyrtari i kësaj gjykate Shaban Gërxhaliu për KALLXO.com ka thënë se  “Gjykata Themelore në Prishtinë deri në këto momente ende nuk ka  pranuar informatë për vendndodhjen apo arrestimin e të dënuarit me inicialet E.A.”

Kujtojmë se me urdhër të kryetares së Gjykatës së Prishtinës, Afërdita Bytyqit, më 9 mars 2020, Arifi është dashur të paraqitej në qendrën korrektuese për vuajtje të dënimit.

Por i dënuari Arifi, arriti që të shtynte shkuarjen në burg 2 herë për nga 2 muaj për shkaqe shëndetësore.

Kërkesa e tretë për shtyrje të dënimit i ishte refuzuar si e pabazuar nga kryetarja Afërdita Bytyqi, e këtë vendim refuzues e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Kur gjykata i kishte dërguar vendimin e formës së prerë të dënuarit Arifi, që të paraqitej në qendrën korrektuese për vuajtje të dënimit i njëjti nuk ishte paraqitur.

Andaj Gjykata e Prishtinës, ka lëshuar Policisë së Kosovës urdhëresë  për arrestimin, ndalimin dhe dërgimin në qendrën korrektuese të Etem Arifit.

Kujtojmë se Etem Arifi dhe Bajram Gashi me 20 prill 2018,  janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.