Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti uron kryeministrin e ri polak: Kosova mezi pret të forcojë lidhjet me Poloninë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar homologun e tij të ri polak, Donald Tusk, për emërimin e tij si kryeministër i Polonisë.

“Në një epokë sfiduese për demokracinë, të dëshmosh angazhimin aktiv të popullit polak është frymëzuese” – ka shkruar Kurti në rrjetin social X (ish-Twitter).

Shefi i Qeverisë ka shtuar se Kosova mezi pret të forcojë lidhjet me Poloninë, duke kontribuar në sigurinë, rritjen dhe vlerat e përbashkëta europiane.

Parlamenti polak e ka mbështetur Donald Tusk si kryeministër të ri, duke i dhënë fund sundimit tetëvjeçar nacionalist dhe duke hapur rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian.

Dhjetëra miliarda euro në fondet europiane janë ngrirë për Poloninë për një mosmarrëveshje me Brukselin mbi standardet demokratike, por Tusk, një ish-president i Këshillit Europian, po premton të përmirësojë marrëdhëniet dhe t’i zhbllokojë paratë.

Për Tusk votuan 248 deputetë dhe 201 ishin kundër që ai të jetë kryeministri i ri.