Albin Kurti - Isa Mustafa

Kurti thotë se 2019 do të mbyllet pa marrëveshjen LVV-LDK

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij ka bërë të ditur se viti 2019 do të mbyllet pa marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje.

Kurti ka thënë se në janar të vitit të ardhshëm do të vazhdojmë përpjekjet që bashkë me LDK-në që të formojnë Qeverinë.

“Në janar të vitit 2020 do të vazhdojmë përpjekjet për të bërë koalicionin me LDK për bashkëqeverisje. Kjo marrëveshje në fillim dukej lehtë e arritshme por u bënë 80 ditë. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se vonesat për formimin e qeverisë shkojnë në dëm të shtetit.

“Vonesat e panevojshme nuk na duhen as nuk i duam por çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me fjalën e qytetarit. Kohë për të humbur nuk kemi, ekonomia ka ngecur…”, tha kryetari i VV-së.

Në fjalën e tij Kurti tha se qeveria që po shkon nuk ka bërë asgjë gjatë vitit 2019,  vetëm shpenzime në dreka e darka si dhe udhëtime.

LVV dhe LDK ka ditë që nuk po mund të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje për shkak të postit të presidentit.

Madje seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës i gjeti këto parti pa ndonjë marrëveshje.

Në këtë seancë megjithatë u zgjodhën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nga LVV dhe pesë nënkryetarët: Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë.