Objekti i Qeverisë së Kosovës, Foto: Xheneta Murtezaj/ KALLXO.com

Emërohet Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime të kryera gjatë luftës në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka emëruar Atdhe Hetemin, Drejtor Ekzekutiv të Institutit për Krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kurti në fjalimin e tij para kabinetit qeveritar, tha se për të ndërtuar të ardhmen duhet adresuar të shkuarën teksa shtoi se vazhdon angazhimi institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës.

“Për të ndërtuar të ardhmen, duhet adresuar të shkuarën, ballafaqimi me të kaluarën është një proces shërues dhe një mekanizëm i domosdoshëm për përparim shoqërorë. Duke qenë një e drejtë individuale e të mbijetuarve, viktimave dhe familjeve të tyre por edhe një e drejtë kolektive është edhe obligim për shtetin. Qeveria është e përkushtuar për të vërtetën të drejtën për të ditur dhe drejtësinë si parakushte për paqen e qëndrueshëm. Vazhdon angazhimi ynë institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës” – tha Kurti.

“Po e jetësojmë institutin që do të adresojë krimet e Serbisë në luftës në vitet 1998-99, prandaj sot e emërova Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë që do t’i prijë këtij procesi të rëndësishëm. Hetemi është ligjërues në departamentin e shkencave politike në UP. Ka më shumë se 15 vjet përvojë profesionale të përqendruar kryesisht në punë hulumtuese dhe hartim të politikave”- shtoi ai.

Kurti tha se duke i dokumentuar krimet e luftës, e ndanë dhembjen dhe e bën më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale.

“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi nuk janë të shkuara. Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella dhe ende të pranishme, dhimbja është e pafundshme. Duke i dokumentuar krimet e dëmet e luftës, ne edhe e ndajmë dhembjen dhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale. Për tej së qenit një çështje me rëndësi historike, adresimi i krimeve të kryera e dëmeve të shkaktuara është obligim moral”- u shpreh kryeministri.

Kreu i ekzekutivit theksoi se gjatë këtij viti në Kosovë janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione dhe prej tyre pesë kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën gjashtë viktimave të luftës.

“Plagët janë ende të njoma ato janë të hapura për mijëra familjarë të mbi 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Po i japim prioritet ndriçimit të fatit dhe vendodhjes së të zhdukurve. Gjatë këtij viti në Kosovë janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione, prej tyre pesë kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën gjashtë viktimave të luftës duke mos përfshirë gjetjet e fundit në Bishtazhin, Gjakovë e Prizren, jemi në pritje të rezultateve të ADN-së”- deklaroi ai .

Kurti vlerëson se Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë pasi siç tha ai, nuk mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga okupatori serb.

“Kriminelët e luftës duhet të duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë. Ato nuk parashkruhen dhe nuk mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga okupatori dha agresori serb gjatë luftës në Kosovë”- përfundoi ai.

Kuvendi i Kosovës në korrik të këtij viti miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.

Ky projektligj i përbërë prej gjithsej katërmbëdhjetë neneve është përpiluar me qëllim të themelimit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë i cili do të jetë risi për shtetin.

Duke pasur parasysh se gjeneza e problemit të një situate të tillë mund të jenë ngecjet në fazën e hetimeve, projektligji në fjalë ka potencial që të japë një shtysë shumë të madhe ndaj hetimit të suksesshëm të krimeve të kryera gjatë luftës.

Dokumentimin e krimeve të luftës ky institut do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik dhe do të krijojë fondin arkivor si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.

Lidhur me këtë do të bëjë grumbullimin e të dhënave të sakta për humbjen e njerëzve, dëmet fizike, emocionale si dhe pronësore e kulturore.

Të dhënat e mbledhura nga ky institut do të jenë të qasshme për publikun, viktimat si dhe palët e interesuara.

Lidhur me të dhëna, instituti është i bazuar në parimin e konfidencialitetit, sipas të cilit identiteti dhe të dhënat personale të palëve ruhen dhe përpunohen në mënyrë që të garantojnë siguri.

Për më tepër, instituti do të identifikojë viktimat e krimit, përgjegjësit e krimit si dhe kohën, vendin dhe rrethanat në të cilat janë kryer krimet.

Instituti përmes fushatave hulumtuese në teren do të mbledhë audio, fotografi, video incizime si dhe do të intervistojë dëshmitarëve me qëllim të mbledhjes së dëshmive.

Drejtori ekzekutiv ka për detyrë që të propozojë planin dhe raportin vjetor të performancës së Institutit, menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e buxhetit si dhe lidhjen e kontratave në emër të institutit.

Vlen të theksohet se ky institut me kryerjen e veprimtarisë së vet, do të bazohet në gjashtë parime të sistemit të drejtësisë.

Këto janë parimi i ligjshmërisë, i pavarësisë dhe paanshmërisë, i transparencës, i mbrojtjes së të dhënave, parimi i mosdiskriminimit si dhe parimi i konfidencialitetit.

Çfarë parasheh projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës?