Kurti: Sulmin në Banjskë e organizoi "Klani i Novi Sadit"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e ka organizuar “Klani i Novi Sadit”.

Kurti përmes një postimi ka thënë se në krye të këtij klani është ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.

“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”- ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti deklaroi se grupi terrorist i cili kreu sulmet në Banjskë po qendron aktualisht në Rashkë.

“Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS” – ka bërë të ditur Kurti.

“Kosova nuk ka jurdikision në Serbi” – ka thënë Kurti duke pyetur se a do të duhej që BE dhe ShBA-të të formojnë Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit.

“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”- ka shkruar Kurti në rrjetin social, facebook.

“Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj”- ka vazhduar Kurti.

Më 24 shtator, në Banjskë, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist. Nga sulmet mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës.

Tre persona nga grupi terrorist u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Kurti mirëpret rezolutën e Parlamentit Europian që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë në Banjskë