Foto: Lëvizja Vetëvendosje / Facebook

Kurti: S'e tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës

Kyreministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se në aspektin ndërkombëtar, Kosova është duke e bërë detyrën e vet. Sipas tij, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojnë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës.

Sipas Kurtit, detyrat e Kosovës u bënë duke u rreshtuar menjëherë e, sipas tij, pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës” – shprehet tutje Kurti.

Kurti vlerëson se jemi në një periudhë globale të vështirë, ku sipas shefit të ekzekutivit ekonomia po shënohet nga ajo që, sipas Kurtit, cilësohet si polikrizë, krizë e shumëfishtë.

Kurti tutje tha se gjeopolitika është shënuar nga rikthimi i luftës në Evropë, duke thënë se menduan se me përfundimin e luftërave që i shkaktoi Serbia në Ballkan, erdhi një paqe e qëndrueshme në Evropë, por, sipas Kryeministrit, siç veproi Serbia dje po vepron Rusia sot.

“Këto dy shtete kanë një lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën, në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit” – u shpreh Kurti para delegatëve e aktivistëve të Vetvendosjes.

Kurti, tutje foli edhe për qeverisjen e deri tanishme të tijën, një vit e shtatë muaj qeverisje.

Ai tha se gjatë vitit 2021 qeveria e tij ka shpërndarë 300 milionë euro, si pjesë e pakos së ringjalljes ekonomike, kurse këtë vit, sipas Kurtit bashkë me pakon e përballjes me inflacionin janë dhënë mbështetje edhe me 350 milionë euro të tjera.

Tutje Kryeministri tha se e di se kjo mbështetje që kanë dhënë nuk e ndal krizën globale dhe nuk ia zgjidh të gjitha hallet askujt, por ai tha se është mbështetje për të gjithë, e më shumë për ata më nevojtarët.

Kurti gjithashtu tha se rritja ekonomike vitin e kaluar ka qenë 10.7%, e Bruto produktit vendor, ndërsa sipas Kurtit, këtë vit në tremujorin e parë ka qenë 4.9%.

Kurti tha se ka pasur ecuri të mirë me përgatitjet drejt vettingut në drejtësi dhe themelimit të Byrosë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe qeverisje është rritur rankimi i Kosovës sa i përket zbatueshmërisë së ligjit, që sipas Kurtit, Kosova ëshë bërë e para në rajon.