Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti për kryetarët e PDK-së në komunat në veri: Nuk mundemi të krijojmë struktura paralele jashtë objekteve zyrtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar edhe faktin që dy kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Peci i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri i Zubin Potokut janë duke kryer detyrat e tyre nga objekte alternative.

Kurti tha që kryetari i një komune detyrat e tij duhet t’i kryejë nga objekti i komunës, dhe jo në një vend alternativ.

“Unë besoj që vendi i punës së kryetarit të komunës duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës, sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesa e Republikës. Ka gjendje të jashtëzakonshme sikurse ajo me pandeminë COVID-19 kur edhe ne nuk kemi qenë në vendet e punës për shkak që nuk kishte vaksina, mirëpo vendi i punës së kryetarit është në atë ndërtesë por unë besoj që është mirë të jetë atje”- tha ai para gazetarëve.

Sipas kryeministrit Kurti, Kosovës nuk i duhen struktura paralele jashtë objekteve zyrtare.

“Struktura paralele ka Serbia, unë besoj gjithnjë e më të pafuqishme, ne nuk mundemi tash të krijojmë struktura paralele jashtë objekteve zyrtare. Kur kanë hyrë në objekte kryetarët të hënën ato kanë qenë të zbrazura, të braktisura”- tha Kurti.

Tutje Kurti tha se Kosova ka bërë çfarë ka mundur në mënyrë që puna në komunat Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut të vazhdojë pa pengesa.

“Unë jam bindur që kemi bërë krejt çfarë kemi mundur, i kemi shtyrë zgjedhjet për 4 muaj, i kemi mbajtur zgjedhjet që janë konsideruar të drejta, legjitime edhe nga faktori ndërkombëtar, dhe së treti i të gjithë e kanë pranuar rezultatin dhe së katërti ne kemi pranuar që të mos ketë kurrfarë triumfalizmi e feste, mirëpo tash duhet të filloj puna, MF i paguan njerëzit për punën që bëjnë”- tha ai.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe ai i Zveçanit Ilir Peci nga e hëna janë duke i drejtuar komunat nga objektet alternative.

Zyra për komunitet në Zubin Potok e cila ndodhet në fshatin Qabër është duke u shfrytëzuar si zyre e punës nga Izmir Zeqiri.  Kryetari i ri i Zveçanit, Ili Peci detyrat e tij po i kryen nga zyra e regjistrimit civil në fshatin Lipë të kësaj komune.

Të dy kryetarët që vinë nga PDK kanë vendosur që punët e tyre t’i kryen nga objektet alternative, kjo pasi që qytetarët serb që nga e hëna janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Zeqiri e Peci të hënën zhvilluan një takim me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, dhe nga e hëna janë duke punuar në objekte alternative.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, kryetar kryetari i ri i Zubin Potokut, u zgjodh Izmir Zeqiri nga PDK, në Zveçan Ilir Peci, po ashtu nga PDK-ja, ndërsa në Leposaviq Lulzim Hetemi nga LVV-ja.

VIDEO – Vizitë në zyrat e modifikuara të kryetarëve të Zubin Potokut e Zveçanit