Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti për Associated Press: Perëndimi të mos ushtrojë presion për themelimin e një entiteti serb në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes një interviste dhënë për Associated Press u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Kosovës për ta pranuar një asociacion kontestues të komunave me shumicë serbe që ndërkohë po i rrit tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti deklaroi për Associated Press se fokusi në vend të kësaj duhet të jetë në bërjen e Serbisë më demokratike dhe heqjen qafe nga ato që ai i quajti idetë hegjemoniste të Beogradit.

Kurti tutje tha se qeveria serbe duhet ta njohë pavarësinë e të gjitha ish-republikave të ish-Jugosllavisë në mënyrë që të “përballet me të kaluarën”.

Ai vuri theksin tek fakti se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, e jo drejt Rusisë.

Kurti tha se nëse ata çlirohen nga ideja se Kosova është ende e Serbisë, “atëherë do të jenë shumë më demokratikë, shumë më evropianë”.

Gjatë disa javëve të fundit, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së e kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët që të pranojnë një propozim të ri për të dyja vendet për normalizim të marrëdhënieve si dhe për t’i rritur ofertat e tyre për anëtarësim në BE.

Një dialog Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja po vazhdon që nga viti 2011, ndonëse pak nga 33 marrëveshjet e nënshkruara janë zbatuar deri tani.

Kurti ka deklaruar se negociatat e deritanishme ishin “një ideologji për zgjidhjen e problemeve… çdo zgjidhje bëhej gjithnjë e më e ndërlikuar, gjithnjë e më pak e zbatueshme dhe publiku humbi interesin”.

Ai e konsideroi propozimin e ri “një kornizë dhe platformë të mirë për të vazhduar përpara … që na bën me shpresë për perspektivat e bisedimeve të ardhshme dhe një arritje të marrëveshjes.”

Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Prishtinës për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila do të koordinonte punën në arsim, kujdes shëndetësor, planifikim të tokës dhe zhvillimin ekonomik në nivel lokal.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë e shpalli një pjesë të planit si jokushtetues, duke vendosur se ai nuk përfshinte etni të tjera dhe mund të përfshinte përdorimin e pushtetit ekzekutiv.

Kurti thotë se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij dhe javën e kaluar ai vendosi kushte duke thënë se Asociacioni mund të themelohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Serbia e ka refuzuar në të kaluarën.

Autoritetet e Kosovës kanë frikë se një gjë e tillë përfundimisht do ta minojë shtetësinë e Kosovës me ndihmën e Beogradit.

Fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i minishtetit të Bosnjës, Republika Srpska, e udhëhequr nga serbët, nga frika e themelimit të një minishteti të tillë në Kosovë, tha ai, duke shtuar se Beogradi e përdori themelimin e Asociacionit “si një armë kundër pavarësisë sonë”.

“Nëse ne e fusim në Ballkanin Perëndimor idenë e asociacionit të komunave me bazë etnike, kjo është një recetë për konflikte të reja”, tha Kurti.

Fuqitë perëndimore nuk duhet të bëjnë presion mbi vendet më të vogla si Kosova, të cilat janë demokratike, shtoi Kurti.

Problemet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj që ka ndodhur në rajon sepse “çdo lloj zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret diku tjetër”.

Njohja reciproke është pjesa qendrore e çdo procesi negocimi, këmbënguli Kurti, diçka që Beogradi e refuzon ashpër.

Përgatiti: Nuhi Shala