Kurti: Pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës, jo përmes rrugëve të shkurtra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar qytetarët e vendit për 15- vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Nga mbledhja solemne e Qeverisë, Kurti ka uruar dhe falënderuar qytetarët duke u shprehur se Kosova është shembull i demokracisë në rajon.

“Qytetarë të nderuar kjo është festa e juaj. Kosova është një shembull i demokracisë në këtë rajon problematik vetëm si meritë e juaja, jeni ajo që nuk keni lejuar dhe nuk lejoni që në Kosovë tyë mbetet i pa dënuar abuzimi me pushtetin. Jeni ju që meritoni urimin dhe falënderimin më të përzemërt për  vjetorin e kësaj demokracie”- deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit tha se simbolikisht ka zgjedhur që të hapin festën e 17 shkurtit, me mbledhje e ceremoni pasi siç tha ai puna dhe festa duhet të shkojnë bashkë.

“Simbolikisht kemi zgjedhur ta hapim këtë ditë jo me ceremoni por me mbledhje, sepse dëshirojmë të përcjellim mesazhin se puna e festa për Republikën tonë duhet të shkojnë bashkë. Pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës, jo përmes rrugëve të shkurtra që premtohen nga njerëz jo serioz por përmes punës e sakrificës që i karakterizon njerëzit e Kosovës, gratë e burrat që punojnë përditë”- tha Kurti.

“Në këtë festë të 15 vjetorit të pavarësisë duhet të ja përkujtojmë vetës e njëri tjetrit se detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20 vjetorit, të jenë shtuar e shumëfishuar arsyet që të rejat e të rinjtë të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale e për një jetë të mirë”- shtoi ai.

Kurti përmbylli fjalimin e tij duke cituar thënie nga Shote Galica, Tringë Smajli dhe Nënë Terezë.

“Shotë Galica thoshte se një jetë pa dije është si një luftë pa armë. Tringë Smajli thoshte mos ja drejtoni armët njëri tjetrit por vetëm armikut të përbashkët. Mos harroni që Nëna Terezë thoshte se paqja fillon me një buzëqeshje”- përfundoi ai.

Sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Sot Kosova feston 15 vjet shtet